Thaçi: Serbia ka njohur doganat e Kosovës

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se me marrëveshjen për doganat të arritur në Bruksel do të ndalen parregullsitë dhe kontrabanda në veriun e vendit.“Me këtë marrëveshje, në fushën tregtare është bërë normalizimi i marrëdhënieve mes të dy shteteve. Ndërkohë që në fushën politike, Serbia njohu shtetin e Kosovës në fushën e doganave”, ka thënë Thaçi.Kreu i Ekzekutivit kosovar ka thënë se edhe në takimin e fundit palës serbe i është kërkuar që të angazhohet më shumë për shpërbërjen e strukturave paralele.Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se kësaj radhe kryeministri vetëm ka informuar Kuvendin, ndërsa do të duhej që ai të raportonte.“Edhe pas asaj që tha kryeministri ende ka vend për interpretime për atë se çfarë është marrëveshja për doganat. Kryeministri tha se kjo marrëveshje historike ka nisur të zbatohet nga grupet teknike, ndërkohë që të gjithë më parë jemi pajtuar se edhe implementimi i marrëveshjeve në Bruksel duhet të ratifikohen nga Kuvendi, para se të nisin të zbatohen”, ka thënë Osmani.Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjofca ka kundërshtuar pohimet e kryeministrit, duke vlerësuar se edhe qëndrimi i BE-së është se Lugina e Presheva është çështje e brendshme e Serbisë, ndërsa kur është fjala për veriun thuhet se kjo çështje duhet të diskutohet.