Sezoni i gjahut elektoral
Sot jemi të gjithë në një pozitë shumë të vështirë. Askush nuk di çfarë jemi duke bërë në zbatim të ligjit. Precedenti që po kërkojmë të justifikojmë është sfilitës dhe qesharak në marrëdhëniet me ligjin e shkruar. Me këtë logjikë këtej e tutje Kuvendi i Shqipërisë mund të miratojë legjislacion, bazuar edhe në letërkëmbimet e sekretarëve të përgjithshëm të ministrive me Kuvendin. Kjo që po ndodh është më shumë se turp! Pyetja “Çfarë po ndodh?” e ka përgjigjen. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve bazuar mbi informacionet e Ministrisë së Brendshme janë propozuar ndarjet e mandateve për zgjedhjet e qershorit 2013. Propozimet nuk janë votuar për arsyen e ndryshimit të numrit të votuesve në qarkun e Kukësit. Për këtë çështje është diskutuar edhe në një seancë të zgjatur parlamentare ku opozitës ju hodh poshtë e drejta për të kryer hetim parlamentar lidhur me këtë çështje. Mosvotimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mandateve të shoqëruar me shkresën “për informacion” të sekretares së përgjithshme po përdoret sot për ti propozuar Kuvendit një akt të paprecedent. Ai është që ndarja e mandateve në kushtet e “bllokimit” nga socialistët të vendimit të KQZ-së, siç thuhet, të jetë sipas “variantit” të zgjedhjeve të 2009. Pyetja naive në këtë rast është se në kushtet kur KQZ u bllokua nga socialistët, PSE kuvendi që po “ndërhyn” për të zhbllokuar situatën nuk miraton propozimin e bllokuar nga socialistët? Ai është propozuar nga Ministria e Brendshme. Pse kthehet mazhoranca sot në ndarjen e mandateve të 2009 dhe hedh poshtë propozimet e ministrit të vet të brendshëm për ndarjet e mandateve? Përgjigja nuk ka të bëjë me ligjin. Përgjigja ka të bëjë me politikën dhe sjelljen e mazhorancës në raport me zgjedhjet në Shqipëri. Vendi ynë festoi 100 vjetorin e pavarësisë, pa pasur në asnjë rast të gëzuarin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pas 22 vitesh në pluralizëm, Shqipëria dhe politika e saj figuron në dokumentet e vëzhguesve ndërkombëtarë me paragrafin “e lodhur” për zgjedhje më të mira se ato të mëparshmet. Zgjedhjet e manipuluara e kanë rraskapitur shoqërinë aq sa vjedhja e zgjedhjeve është kthyer në rutinë. Kjo seancë plenare është një “buri” kushtrimi se në Shqipëri aktualisht ka filluar sezoni i gjahut. Do të kërkohen të “vriten” zgjedhjet dhe shpresat e shoqërisë për ndryshim. Skenari i kësaj që po ndodh është i stërparë. Ai është më absurd se absurdi dhe që ulëret për fatin e një populli të marrë me “qira” nga të fortit e pushtetit. I gjithë ky absurd ka vetëm një problem. Ai është refuzimi i shqiptarëve për të qenë gjahu i politikës në këto zgjedhje që po trokasin.