Investime në Shkodër, Kryeministri njofton legalizimin edhe të shtëpive të dyta
Shkodër - Kryeministri Edi Rama inspektoi Velipojën, Shkodrën dhe rrethinat e saj paraditën e së premtes. Kreu i ekzekutivit u njoh me investimet kryesisht për rehabilitimin e zonave dhe sistemimin e rrugëve. Nga Velipoja Rama tha se do të ketë një proces të legalizimit të banesave të dyta, por jo falas.Nga Velipoja në Shirokë më pas në zemër të qytetit të Shkodrës dhe për ta përmbyllur, në fshatin Golem të komunës Rrethina. - Ka qënë kjo trajektorja e ndjekur nga Rama ndërsa inspektoi punimet në disa investime publike. Në Velipojë, Rama u njoh me vazhdimësinë e pedonales për të cilën tha se nuk lejon ndërtimet pa leje në plazh. Për Kryeministrin do të ketë edhe një proces të legalizimit të banesave të dyta, që nuk është falas."Me futjen e Policisë në këtë proces, - tha ai, - ka një rënie të jashtëzakonshme të numrit të ndërtimeve pa leje dhe ndërkohë kjo ëhstë një zonë që kërkon një proces legalizimi për shtëpitë e dyta, që kuptohet nuk janë në kategorinë e legalizimeve falas."Teksa inspektoi punimet për ndërtimin e rrugës së Shirokës, që do bëjë edhe lidhjen e Shkodrës me krahinen e Krajës, Rama bëri me dije se është duke u diskutuar me palen malazeze për këtë investim që do ndikojë në zhvillimin e rajonit: "Është e domosdshme që të gjitha këto akse të kthehen në akse të zhvillimit të vetë Shkodrës si qendër dhe si territor."Rama pa dhe punimet në lagjen Dërgut, blloku i pallateve të "Vaut të Dejës", investim i fondit të zhvillimit të rajoneve, ku u shpreh se ky është vetëm fillimi. Ai shpjegoi: "Morëm një kërkesë nga bashkia e Shkodrës për këtë investim dhe praktikisht vendosëm ta mbështesim sepse është gjithë kjo zonë e mbytur në ujëra të zeza dhe e tha shumë mirë ajo zonja, një sketerrë që mund të transformohet tani në një lagje normale."Kryeministri Rama turin e inspektimeve e mbylli në komunën Rrethina ku po punohet për ndërtimin e rrugës që lidh fshatrat Golem e Grudë me aksin nacional dhe me qëndrën e komunës.
ar.sh/Oranews.tv