Konferenca Gjyqësore zgjedh Gjermenin, nxjerr një rezolutë për reformën

Tiranë – Konferenca Gjyqësore Kombëtare pasi ka zgjedhur sot përfaqësuesin të saj në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Artan Gjermenin, ka miratuar një rezolutë lidhur me reformën e nisur në sistemin e drejtësisë.Konferenca e përshëndet reformën, bën thirrje për sa më shumë angazhim nga institucione, forca politike dhe aktorë të sistemit të drejtësisë dhe nënvizon faktin që të kihet kujdes ndaj figurës së gjyqtarit, pasi jo të gjithë gjyqtarët pa dallim janë të korruptuar, pasi pjesa më e madhe e tyre punojnë me përkushtim.Ja përmbajtja e rezolutësK.GJ.K. ka ndjekur me vëmendje dhe seriozitet të veçantë debatet e kohëve të fundit lidhur me nevojën e kryerjes së reformave gjithëpërfshirëse të pushtetit gjyqësor në vendin tonë.K.GJ.K. përshëndet tryezën e përbashkët të organizuar për këtë qëllim nga Presidenti i Republikës dhe Ministria e Drejtësisë. K.GJ.K. do të përkrahë fuqimisht çdo iniciativë që synon realisht në forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e efiçencës së gjyqësorit.Në këtë kuadër, KGJK vlerëson se, jo vetëm institucionet kushtetuese dhe të gjitha forcat politike, por edhe të gjithë operatorët e sistemit të drejtësisë, duhet të angazhohen seriozisht për të kryer një reformë sa më të dobishme.Miratimi me konsensus dhe gjithperfshirje i nismave është i rëndësishëm dhe i vlefshëm për sistemin gjyqësor, për shkak se në të do të ndërthuren idetë, eksperiencat, zgjidhjet, c’ka do të garantojë në këtë mënyrë një reformë cilësore, të qëndrueshme në kohë dhe të pranueshme nga të gjithë. K.GJ.K. shpreh gadishmërinë e saj të plotë për të marrë pjesë aktive në këtë proces të rëndësishëm dhe jetik për vendin.Ne angazhohemi që brenda hapësirave kushtetuese dhe ligjore të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet dhe aftësitë tona për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit, duke inkurajuar dhe mbështetur pa rezerva çdo përpjekje dhe masa konkrete në këtë drejtim.Megjithatë, KGJK rithekson se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të shërbejë për të denigruar padrejtësisht të gjithë komunitetin e gjyqtarëve në përgjithësi.K.GJ.K shpreh shqetësimin e saj se etiketimet dhe tonet negative në drejtim të të gjithë gjyqtarëve pa dallim, jo vetëm cënojnë funksionimin normal të sistemit gjyqësor, por komprometojnë rëndë misionin e dhënies së drejtësisë dhe pavaresine e ketij sistemi.Megjithatë ritheksojme në këtë aspekt, se K.GJ.K denoncon me forcë dhe në mënyrë të prerë çdo fenomen korruptiv në radhët e gjyqësorit, dhe inkurajon organet ligjzbatuese që të ndërmarrin masa konkrete në luftën kundër këtij fenomeni. Ato duhet të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të identifikuar individët të cilët kryejnë veprime që bien ndesh me ushtrimin e detyrës, duke i vënë ata para përgjegjësisë ligjore.Për këto arsye, K.GJ.K kërkon me vendosmëri, që në zbatim të detyrave kushtetuese dhe ligjore që na ngarkohen, të angazhohemi maksimalisht të gjithë për të luftuar pa kompromis këtë fenomen të rrezikshëm dhe shumë të dëmshëm për shtetin dhe shoqërinë. Në këtë proces kontribut të vlefshëm duhet të japin te gjitha institucionet shteterore shoqëria civile, media dhe çdo individ.Gjyqtarët duke vlerësuar mbështetjen e deritanishme, kërkojnë nga strukturat përkatëse shtetërore, marrjen e masave të mëtejshme që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe garantimin e kushteve të përshtatshme të punës, rritjen e sigurisë në gjykata, dhe trajtim financiar dinjitoz.Në përfundim, K.GJ.K ngarkon Këshillin Ekzekutiv si dhe komisionet e saj, sipas fushës së kompetencave përkatëse, që të përfaqësojnë pushtetin gjyqësor dhe të japin ndihmën dhe kontributin e tyre në emër të KGJK, për të gjitha nismat e rëndësishme që do të merren në kuadër të reformës në drejtësi. Tiranë me datë 10.10.2014.ar.sh/Oranews.tv