LDK-AAK-Nisma-VV mbledhin parlamentin, apel PDK të zhbllokojë krizën
Deputetët e koalicionit paszgjedhor nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje, janë mbledhur në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar për daljen e vendit nga kriza institucionale.Në Kuvend nuk ishte e pranishme Partia Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri në largim, Hashim Thaçi dhe as shumica e përfaqësuesve të pakicave kombëtare në Kosovë.Sipas tyre, seanca e sotme, e thirrur nga ai që njihet si bllok opozitar, është jo-kushtetuese, duke qenë se nuk është e thirrur nga kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina nga PDK.Seancat konstituive i kryeson deputeti më i moshuar në sallë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.Pikërisht në cilësinë e deputetit më të ri, Teuta Rugova nga LDK, e nisi seancën e sotme, të thirrur me nënshkrimet e 62 ligjvënësve.Deputetja e Kuvendi të Kosovës Vjosa Osmani nga LDK-ja, që foli ne emër të grupit parlamentar, ka kritikuar deputetët e PDK-së, duke thënë se ata janë përgjegjësit kryesor për krijimin e kësaj gjendjeje dhe moszgjidhjen e organeve të reja të shtetit.“Ata që po frikësohen që sot të dalin në Kuvend para qytetarëve, ata që çdo ditë e kanë gojën plotë fjalë për demokraci, kanë treguar se sa demokraci e sa zhvillim i kanë sjellë vendit dhe për këtë mund të pyeten me mijëra familje në Kosovë, që sot jetojnë në varfëri ekstreme; Të pyeten bizneset që kushtëzohen dhe shantazhohen; gjyqtarët e prokurorët që nuk lejohen të punojnë në mënyre të pavarur dhe qytetarët që bartin peshën e rëndë të korrupsionit nga zyrtarët publik, të instaluar nga kjo qeverisje në ikje”, tha Osmani.Blloku LDK-AAK-Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, këmbëngul në qëndrimin e tyre, se i vetmi vend ku do të diskutohet për zgjidhjen e ngërçit politik, është Kuvendi i Kosovës, e jo takimet joformale diku tjetër.Në emër të grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje foli Visar Ymeri.Ai tha se vendi nuk mund të lihet peng për shkak të vullnetit të "një pakice siç është PDK-ja me deputetët e saj".“Në njërën anë e kemi shumicën parlamentare, e cila edhe e ka zgjidhjen, e edhe të drejtën, edhe mundësinë, për ta zbatuar këtë zgjidhje për situatën në të cilën ndodhen institucionet; dhe në anën tjetër e kemi pakicën bojkotuese e bllokuese të themelimit të institucioneve, e cila po sakrifikon Republikën dhe parimet bazë të demokracisë për qëllimet e veta"."Pra, demokracinë e kemi në popull, ndërkohë që pushtetin aktualisht e kemi te oligarkët politikë të qeverisë në largim, te oligarkët ekonomik që janë anëtarë të PDK-së dhe oligarkët gjyqësor të GJykatës Kushtetuese që janë të afërt me PDK-në”, tha Ymeri.Deputetja nga AAK, Donika Kadaj- Bujupi, theksoi se veprimet jodemokratike "s’kanë si të jenë ndryshe pos të dëmshme dhe afatgjate".“Nga vendimi i fundit në këta 4 muajt e fundit, kuptuam se edhe institucioni që duhet të jetë me kredibilitetin më të lartë në vend, Gjykata Kushtetuese është kapur nga ky sistem kriminal i Hashim Thaçit dhe i klikës së tij “, tha Bujupi.Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën tha mosprania e deputetëve të PDK-së në seancë, tregon se "ata nuk e respektojnë dhe e përbuzin elektoratin e vet".“Në vendet demokratike, por edhe këtu te ne, duhet ta kuptojmë që shumica duhet të vendos dhe shumicën e kemi ne. Ndërsa, pakica duhet të akomodohet në opozitë”, tha Bajrami.Seanca konstituive ka nisur më 17 korrik dhe që prej atëherë, i gjithë procesi zgjedhor është ngarkuar me një numër lëndësh të dërguara në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për interpretim se kush ka të drejtë të njihet si grupi më i madh parlamentar, kush ka të drejtë të emërojë kryetarin e Kuvendit dhe kush ka të drejtë të formojë qeverinë.Zgjedhjet e 8 qershorit kanë përfunduar me fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës, por nuk e ka numrin e mjaftueshëm të vendeve në Kuvend për të formuar institucionet./REL/