Situata në Lazarat, Bejko: Mungojnë politikat e policimit në komunitet

Prania e forcave të shumta të policisë në Lazarat ka sjellë momente tensioni, ku disa gjimnazistë kanë qëlluar me gurë 3 policë. Sipas kreu të PD në Gjirokastër,Roland Bejko e gjithë kjo situatë vjen si pasojë e mungesës së politikavë të policimit në komunitet.I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, me gazetaren Anjola Hamzaj, Bejko dha edhe një fakt tjetër që çoi në këtë konflikt, ku një efektiv policie ka ngacmuar një vajzë në Lazarat, çka ka sjellë edhe këtë reagim të gjimnazistëve."Janë mungesa e politikave të qarta nga ana e Policisë së Shtetit në raport me komunitetin, ose ajo që quhet ndryshe policimi me komunitetin. Kjo ndodh për shkak se që në momentin e parë kur hynë në Lazarat forcat e policisë e trajtuan Lazaratin si një kështjellë ku duhet të pushtohej, madje edhe veprimi i uljes së flamurit shqiptar dhe vendosja e një flamuri të policisë jepte këtë simbolikë. Ngjarja e sotme është pasojë nuk është shkak, ka pasur shumë vjedhje të banesave në Lazarat. Prezenca e policisë në fshat nuk shkakton probleme kur ajo është normale, por në momentin kur shikohet që individë të veçantë të policisë kanë dalë jashtë kontrollit. Në Lazarat ka pasur policë të implikuar, madje deri në trafik të lëndëve të mbetur në Lazarat. Banorët kanë konstatur se personat që kanë shkuar për të vjedhur kanë qenë më uniformën e policisë. Por ka pasur edhe një sebep konkret. Një nga efektivat e policisë ka bërë një sjellje jo të mirë me një vajzë në Lazarat dhe kjo ka bërë bujë. Ka qenë edhe një vjedhje në varrezat e fshatit që i kanë rrëmbyer dy vajzave të reja celularin dhe bizhuterite, kanë kërkuar ndihmën e policisë por nuk kanë reaguar”, tha Bejko.Sipas kreut të PD në Gjirokastër ka ardhur koha që Lazarati të trajtohet si të gjitha komunat e tjera.“Lazarati duhet të trajtohet si të gjitha komunat e tjera. Në Lazarat nuk ka më kanabis, nuk është koha për të mbjellë kanabis. Unë mendoj që më shumë sesa sukses, operacioni ishte një lojë luftash. Aty në atë kohë nuk ka pasur kanabis të mbjellë. Asnjë nga familjarët që ka prindin në burg nuk mund ta shikojë uniformën e policië si miqësore. Policia e Shtetit duhet të shikojë ku ka gabuar. Banorët duhet ta kuptojnë që nuk janë në një situatë normal, vijnë pas një situate që kanë kryer një veprim të paligjshëm”, u shpreh kreu i PD, Gjirokastër.ex/oranews.tv/