Lazarat, thirrje në fb sërish për protesta, sot në mëngjes edhe 5 të ndaluar
Gjirokaster- Mëngjesin e sotëm policia shoqëroi edhe 5 banorë të tjerë të Lazaratit, një ditë pas incidentit të ndodhur dje, kur gjatë protestës që kishin organizuar të rinjtë në qendër të qytetit goditën me gur e domate policinë.Bilanci pas incidentit ishte 3 policë të plagosur dhe 2 makina të dëmtuara.Burime nga policia bëjnë me dije se një pjesë e të ndaluarve që prej ditës së djeshme janë liruar. Aktualisht janë 10 të ndaluar.Aktualisht situata në fshat paraqitet tepër e qetë, pavarësisht paralajmërimeve në rrjetet sociale për bojkotim të mësimit nga nxënësit e shkollave të Lazaratit.Të tri shkollave të Lazaratit u kërkohet të bojkotojnë mësimin dhe të dalin në qendër të fshatit për të protestuar për lirimin e të ndaluarve. Lazaratasit kërkojnë dhe largimin e policisë nga qendra e fshatit.
Policia: Mes atyre që qëlluan ishin dhe gra me precedentë penalëNë orët e mbrëmjes së 8 tetorit policia e qarkut Gjirokastër sqaroi incidentin, ndërsa deklaroi se janë 19 të shoqëruar ndërmjet tyre dy femra dhe se po punohet për shoqërimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.Gjithashtu deklaroi se ndërmjet gjimnazistëve që kanë qëlluar policinë kanë qenë edhe gra me precedentë kriminale që në vitin 1998 kanë gjuajtur me armë mbi policinë, si dhe familjarë të të arrestuarëve që kanë kundërshtuar me armë policinë gjatë Operacionit antikanabis të zhvilluar gjatë muajit Qershor në Lazarat , kanë sulmuar me gurë forcat e policisë dhe automjetet e policisë.Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër i bëri thirrje mbrëmë prindërve të nxënësve të përfshirë në këtë ngjarje që të mbajnë fëmijët nën kontroll dhe të distancohen nga këto veprimeve antiligjore , pasi persona me precedent kriminal që u është cënuar dhe goditur interesi dhe veprimtaria e tyre kriminale po i përdorin nxënësit për qëllimet e tyre kriminale.