Rama: Raport inkurajues për ne, sa për opozitën, ende s'e dimë ç'kërkon

Tiranë – Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin sëbashku me Kryeministrin Rama kanë dhënë vlerësimet e tyre lidhur me Raportin e Progresit të Shqipërisë të paraqitur sot nga KE. Ndërsa Vlahutin ka dhënë tre pikat kyçe të tij, Rama nga ana e vet e ka konsideruar Raportin si një "vlerësim shumë pozitiv".Ambasadorja Vlahutin dha tre pikat kyçe në të cilat konsiston ky Raport: "Ka tre elementë thelbësore, të cilat do të shikohen në të ardhmen, - tha ajo. -  Së pari, është sundimi i ligjit dhe është vërtet thelbësor, shumë kyç. Po ashtu, edhe reforma në gjyqësor,  lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar. Së dyti, kemi reformën e administratës publike. Së treti, kemi të bëjmë me një koncept të ri, të mirëqeverisjes ekonomike.Një gjë, e cila është një shqetësim i veçantë për ne dhe kërkon rëndësi të veçantë, është gjithëpërfshirja, e sidomos dialogu politik mes qeverisë dhe opozitës. Ne si Bashkim Europian, - theksoi Vlahutin, - do të përpiqemi që të bëjmë çdo gjë, që të restaurohet ky dialog."Kryeministri Rama duke i bërë një përmbledhje Raportit në fjalë, e konsideroi atë si inkurajues me vlerësimet pozitive që pati për arritjet e Qeverisë.Në veçanti për opozitën, Rama tha se “presim që opozita të thotë çfarë mund të bëjmë ne, çfarë kërkon? Kur ne braktisëm parlamentin, kërkonim hapjen e kutive. Ishte një kërkesë  kërkesë konkrete dhe përcaktonte kushtëzimin e marrëdhënieve tona me parlamentin. Akoma nuk e dimë çfarë kërkon opozita, kuptohet përveç largimin e Qeverisë. Nuk jemi ne që duhet t’ia plotësojmë, është populli shqiptar që duhet t’ia plotësojë me votë.”Ndërsa për pikat e tjera ai u shpreh: Së pari, Raporti konfirmon vlerësimin shumë pozitiv të Komisionit Europian për arritjet konkrete të Qeverisë dhe ajo çka për ne vlen ende më shumë, për vullnetin tonë qeverisës për të dëshmuar me fakte thellimin e reformave modernizuese. Në këtë aspekt marrim si inkurajim të fortë vlerësimin e Komisionit se Qeveria ka treguar vullnet për të vepruar në mënyrë vendimtare në parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit; se lufta kundër krimit të organizuar, me hapa seriozë, për të luftuar kultivimin e narkotikëve me operacionet e policisë në Lazarat dhe në veri të vendit, ndër të tjera është shprehje kuptimplotë e këtij vullneti; se janë shënuar hapa konkretë në reformën e gjyqësorit; se Shqipëria po ecën me harmonizimin e legjislacionit, sipas standardeve të Bashkimit Europian, në një sërë fushash, duke rritur aftësitë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit.Nga ana tjetër, Raporti tregon sipas nesh, në mënyrë shumë të qartë, udhën drejt hapjes së negociatave për anëtarësim nëpërmjet 5 përparësive kyçe, që i nënvizoi edhe ambasadorja.Për ne, rekomandimet e Komisionit Europian përputhen plotësisht me programin dhe me vullnetin e Qeverisë sonë.Një gjë dua ta them në fund të kësaj paraqitjeje, se nuk janë të gjitha këto hapa dhe masa që ne i ndërmarrim, sepse na thotë Komisioni, se na i kërkon BE-ja. Por sepse për ne është vendimtare që në Shqipëri të vendoset sundimi i ligjit, që në Shqipëri, drejtësia të mos jetë sinonim i korrupsionit, administrata të mos ketë pika përputhjeje me korrupsionin dhe jeta e qytetarëve të  mos jetë  penguar nga korrupsioni. Ashtu sikundër, jo sepse e kërkon Bashkimi Europian, jo sepse e thotë Komisioni, apo e nënvizon Raporti, por sepse pesë përparësitë kyçe janë edhe pesë instrumente të patjetërsueshëm për modernizimin e vendit. Ne do t'i ndjekim këto përparësi, edhe më me shumë vullnet, edhe më me shumë ritëm.Lidhur me kthimin  e opozitës aty ku opozita ka vendin, në rastin kur nuk është në mërgim, në parlament. Ne jemi të vendosur të mos jemi pjesë e përgjegjësisë për përsëritjen e historisë, në asnjë aspekt. E kam thënë që  ditën e parë dhe kjo është vija jonë e sjelljes, nga dita e parë deri më sot. Opozita, gjatë periudhës së qeverisjes sonë nuk do të vuajë asgjë nga ato që kemi vuajtur ne, kur ishim në opozitë, gjatë qeverisjes së tyre.Çfarë ne e kemi konsideruar të drejtë të opozitës dje, e konsiderojmë të drejtë të opozitës sot. Çfarë ne kemi kërkuar dje nga Qeveria, jemi të gatshëm ta ofrojmë sot, një më një, për opozitën në çdo rast dhe sa herë që kjo të shprehet si nevojë nga opozita.Pyetjet e drejtuara nga mediat:Reformën në drejtësi, në këndvështrimin tuaj, zoti Kryeministër, kush duhet ta udhëheqë Presidenti i Republikës, Parlamenti apo ekspertët ndërkombëtarë?Rama: Nuk do grindemi me askënd, se kush do të mbajë flamurin. Ne kemi pjesën tonë të përgjegjësisë dhe atë do ta mbajmë plotësisht. Që do të thotë se jemi shumicë e votuar në radhë të parë, besojmë ne, sepse Shqipëria dhe shqiptarët ishin të mbingopur deri në fyt nga padrejtësia, në tërësi dhe nga drejtësia që nuk jep drejtësi, në mënyrë të veçantë. Presidenti i Republikës organizoi një konferencë. Dua t'ju risjell në vëmendje se ajo konferencë  e organizuar nga Presidenti i Republikës ishte fryt i një bashkëpunimi me ne si shumicë qeverisëse, që ndërkohë ishim përgatitur për të lançuar Konferencën Kombëtare të Drejtësisë dhe me të marrë njoftimin se Presidenti po përgatitej për një aktivitet lidhur me drejtësinë, që nuk përfshinte në draftin e parë, partitë politike, por përfshinte të gjithë aktorët e tjerë, i jemi drejtuar Presidentit me kërkesën që t'i përfshije dhe partitë politike, duke ndarë me të, idetë tona të Konferencës Kombëtare dhe duke i garantuar pjesëmarrjen tonë në konferencë, besojmë si shprehje kuptimplotë të vullnetit për gjithëpërfshirje dhe të domosdoshmërisë që ne shohim tek gjithëpërfshirja.Përsëri do të jemi të gatshëm të marrim pjesë në çdo lloj aktiviteti që Presidenti, aktorë të tjerë, përfshirë dhe Partinë Demokratike do të duan të organizojnë dhe do të na ftojmë për të marrë pjesë. Ju rikujtojmë, nuk do të bëjmë asgjë nga ato që na bënë kur ishim në opozitë. Kur ishim në opozitë kemi organizuar një konferencë pikërisht për reformën në drejtësi. E kemi ftuar shumicën e asaj kohe. Nuk ka ardhur asnjë njeri. Ne do të shkojmë, nëse na ftojnë dhe sa të na ftojnë. Por thënë kjo, gjithë ky proces që mund të shtrihet në konferenca, në tryeza, në forume, në workshop-e nuk është alternativ i Parlamentit, por është komplementar me Parlamentin. Si shumicë qeverisëse, ne e kemi thënë dhe do ta çojmë më tutje projektin e fillimit të punës për reformën në drejtësi, nëpërmjet një komisioni parlamentar të reformës në drejtësi, ku pa as më të voglin dyshim, mirëpresim jo vetëm praninë e opozitës, por edhe propozimet konkrete të opozitës për formatimin etj., etj.. Pjesëtarët tanë në këtë komision, të cilët do të koordinojnë të gjithë punën e kësaj shumice qeverisëse, sepse Qeveria është vetëm njëra anë e shumicës, ana tjetër është Kuvendi, por janë dhe aktorët e tjerë, do të jenë të gatshëm, e përsëris, që të ndajnë gjithçka komisioni do të përgatisë apo do të bëjë gati në fund për Kuvendin, me të gjithë aktorët në çdo instancë tjetër. Pra, nuk kemi këtu, një garë se kush e udhëheq. Secili bën atë që ndjen si përgjegjësi dhe që i takon me Kushtetutë, me ligj dhe me mandat popullor.Zonja ambasadore, ju thatë se jeni gati të negocioni që palët politike në Shqipëri të arrijnë dialogun. Çfarë nënkuptohet kur thuhet se maxhoranca duhet të krijojë kushtet e duhura që opozita të ndërmarrë këtë veprim?Vlahutin: Njerëzit kanë votuar dhe kanë zgjedhur Parlamentin për t'i përfaqësuar ata, por është përgjegjësia e atyre që janë zgjedhur që të përfaqësojnë ashtu siç duhet, zgjedhësit e tyre. Prandaj varet në duart e të dyja palëve, në fakt, që të gjejnë mënyrën për t'u kthyer në një situatë ku ka dialog të duhur politik, për të mirën e vendit. Ajo që mund të bëjë BE, është që të përpiqet që të asistojë, të ndihmojë për të krijuar atmosferën e duhur, apo për të krijuar më shumë hapësirë për gjithëpërfshirjen, duke folur me të gjithë dhe duke krijuar një atmosferë dialogu, i cili do ta çojë Shqipërinë në pozicionin ku Shqipëria do të quhet dhe do të shihet si një vend me një demokraci shumë të përgjegjshme përsa i përket dialogut. Nuk është sikur ne jemi këtu të pranishëm dhe prania jonë, sigurisht që do asistojmë, por ne nuk jemi në Shqipëri që të udhëheqim vendin. Ata që janë zgjedhur, kanë përgjegjësinë për ta bërë këtë.Kryeministri Rama: Ju faleminderit shumë. Fakti që kishte vetëm dy pyetje tregon që me Progres-Raportin jemi të gjithë dakord dhe të kënaqur.ar.sh/Oranews.tv