Juve i thotë lamtumirë Kupës së Italisë, mundet nga lacio 2-1
Juventusi ka dështuar mbrëmë ndaj skuadrës së Lacios për të siguruar finalen e parë të këtij sezoni, pasi me fitoren emocionuese që i mbajti të gjithë në ankth deri në minutat e fundit, janë Kryeqytetasit ata që presin biletën për në finalen e Kupës së Italisë që do të luhet në shtëpin e tyre. Nëse një javë më parë bardhekaltrit barazuan 1-1 në Torino, në ndeshjen e luajtur në fushën e tyre ata kanë mundur 2-1 kampionët e Italisë, duke treguar potencialin e tyre përballë skuadrës që për momentin konsiderohet si më e mira në Seria A.Pas një pjese të parë pa shumë emocione, pjesa e dytë ka qenë drithëruese sidomos në minutat e fundit të takimit. Juventus, që vinte në këtë takim me shumë mungesa në formacionin e pare, nuk ka arritur tu bëjë ballë vendasve që shprehën qartë etjen dhe dëshirën për të siguruar një finale, dhe pse jo për të ngritur edhe trofeun në këtë sezon futbollistik. Mesfushori Gonzalez, hapur serinë e golave në këtë takim duke kaluar në avantazh Lacion në minutën e 53-të. Ky superioritet i vendasve që në minutat e para të pjesës së dytë, u jep më shumë freski të besuarve të Petkoviç, të cilët vihen në mbrojtje të rezultatit. Trajnerët bëjnë ndryshime në skuadrat e tyre, ku nga njëra anë Konte hedh në fushë lojtarët kryesor, ndërsa Petkoviç detyrohet të bëjë zëvendësime të detyruara duke nxjerrë nga fusha brazilianin Hernanez, që dëmtohet rëndë në një përplasje me Marronen, ku bie në tokë pa ndjenja dhe alarmon të gjithë të pranishmit në “Olompiko”. Zëvendësimet e Kontes ndryshojnë ritmin e skuadrës, pasi sulmet e Juventus shtohen dhe Vidal gjenë barazimin në minutën e parë shtesë. Të entuziazmuar nga barazimi, bardhezinjtë nuk markojnë mirë në zonë dhe vetëm 3 minuta më vonë, është Flokari që shënon golin e avantazhit. Por ndeshja nuk mbyllet këtu pasi në minutën e fundit të kësaj shtese, në fillim Xhovinko dhe më pas Markizio humbasin rastin më të artë për të çuar Juventusin në finale. Pas kësaj fitoreje kryeqytetasit presin të njohin rivalin mes gjysmëfinales tjetër Inter – Roma, me këta të fundit më të avantazhuar pas fitores 2-1 në përballjen e parë. Në “Olimpiko” mund të ndodhë ajo që në fillim nuk pritej, një derbi mes skuadrave kryeqytetase do të ishte një finale fantastike që do të ngrinte në pjedestal edhe vlerat e Kupës së Italisë.