Dollari forcohet kundrejt lekut, pas 2 vitesh, 1 $ shkëmbehet me 110 lekë

Monedha amerikane forcohet ndjeshëm ndaj lekut shqiptar javët e fundit. Në kursin e këmbimit valutor një dollar shkëmbehet me mbi 110 lekë, një shifër kjo e konsideruar si më e larta e arritur që prej dy vitesh.Ekspertët shpjegojnë se ky vlerësim i monedhës amerikane vjen si pasojë e ndikimit të lëvizjeve në kursin ndërkombëtar të valutave.Rritja ekonomike e SHBA-ve ka ndikuar në besimin e konsumatorëve, duke e forcuar dollarin kundrejt monedhës së përbashkët europiane në tregjet ndërkombëtare.Por në Shqipëri euro vijon të qëndrojë përsëri e fortë, pavarësisht se në tregjet ndërkombëtare të këmbimit valutor ka humbur pikë ndjeshëm.Në kursin e këmbimit valuator një euro shkëmbehet me rreth 140 lekë dhe kjo sipas ekspertëve shpjegohet me faktin se kërkesa në tregun e brendshëm për monedhën europiane vijon të jetë e lartë, duke e mbajtur atë të fortë përballë lekut shqiptar.Një euro e fortë në Shqipëri shpjegohet edhe me faktin se ajo është monedha e huaj që përdoret më shumë në një kohë që në treg ka pak euro, e ndikuar kjo kryesisht nga rënia e të ardhurave të emigrantëve dhe si pasojë e largimit të turistëve.