Sëmundjet e zemrës alarmojnë mjekët: Po preken dhe moshat e reja
Tiranë- Sëmundjet e zemrës po marrin gjithmonë e më shumë jetë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë.Sipas të dhënave të prekurit nga kjo sëmundje janë kryesisht në moshën 35 deri në 72 vjeç, por ajo që konsiderohet si më alarmuese është fakti se në Shqipëri po preken edhe 25 vjeçarët.Në kuadër të ditës botërore të sëmundjeve të zemrës, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, bëri me dije se rritja e rasteve me këtë sëmundje bëri të nevojshme shtimin e orarit të ofrimit të shërbimit mjekësor.Shkaqet e sëmundjeve të zemrës janë presioni i lartë i gjakut, duhanpirja, mbipesha e obeziteti si dhe mungesa e aktivitetit fizik.Pikërisht në kuadër të një prej shkaqeve kryesore të sëmundjes së zemrës, Ministri Beqaj lançoi fushatën “Shqipëria jo duhanit”.Sëmundjet kardiovaskulare shkaktojnë çdo vit 17.3 milion vdekje dhe shifrat janë në rritje. Deri në vitin 2030, pritet që çdo vit 23 milion njerëz në botë do të vdesin nga SKV.