Banka e Shtetit garanton: Kemi kontroll mbi paratë, ekonomia po gjallërohet
Tiranë - Banka e Shqipërisë zhvillon analizën e ekonomisë shqiptare për herë të parë pa konferencën mujore të ish-Guvernatorit Ardian Fullani, aktualisht nën drejtimin e Elisabeta Gjonit.Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka pasqyruar ecurinë e ekonomisë gjatë muajit të fundit dhe pritshmërit për muajt e ardhshëm të cilat vlerësohen të jenë pozitive. Por pavarësisht mbledhjes për ecurinë ekonomike, vëmendje i është kushtuar edhe sigurisë së parave në Bankën e Shtetit.Pas vjedhjes së 713 milionë lekëve, Këshilli Mbikqyrës ka vlerësuar edhe njëherë masat e sigurisë në Departamentin e Emisionit. Sipas deklaratës së nxjerrë në faqen online, Banka e Shqipërisë siguron se ka nën kontroll ruajtjen dhe sigurinë e vlerave monetare, përfshirë dhe ambientet ku ato magazinohen.Zhvillimi i ngjarjeve të fundit ka sjellë rrjedhje të informacionit të klasifikuar të niveleve të ndryshme sipas përcaktimeve ligjore, por Banka e Shqipërisë ka marrë dhe po ndërmerr masa për garantimin dhe forcimin e elementeve të sigurisë. Sipas deklaratës, analiza e treguesve të disponuar sugjeron se rritja ekonomike ka shenja gjallërimi gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit pavarësisht se cilësia e kredive përbën shqetësim.Kjo rritje ekonomike është nxitur nga një ecuri më e mirë e kërkesës së brendshme private. Konsumi dhe investimet private vlerësohet të jenë rritur, duke reflektuar përmirësimin e besimit të individëve dhe të bizneseve, kushtet më të mira të financimit në tregjet financiare dhe forcimin e bilanceve në ekonomi. Megjithatë, ecuria e konsumit dhe e investimeve private mbetet ende e brishtë.Vetëm pak ditë pas rishikimit të buxhetit, Banka e Shqipërisë i kërkon qeverisë që shpërndarja e zërave të buxhetit gjatë vitit duhet të jetë më e njëtrajtshme. Sipas Këshillit Mbikqyrës kjo është e nevojshme në interes të zbutjes së luhatshmërisë në ekonomi dhe në tregjet financiare, si dhe në interes të rritjes së eficiencës së shpenzimeve.Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%.Oranews.tv