Takimi Jahjaga-Nikoliç, për kompromise të reja

Takimi i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, dhe i presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, i paralajmëruar të ndodhë javën që vjen në Bruksel, shihet nga diplomatët evropianë si një përpjekje e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, për kompromise të reja në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.Edhe pse nuk e konfirmojnë zyrtarisht datën, në Bruksel pohojnë se “takimi Jahjaga – Nikoliç do të duhet të ndodhë para rundit të ri të dialogut Thaçi-Daçiç”.“Tani kemi hyrë në fazën më të rëndësishme të dialogut, zgjidhjen e problemit të veriut. Tashmë kur priten vendime të vështira për të dyja palët”, ka thënë një diplomat i BE-së.Ai ka thënë se “kupton se për kryeministrin Thaçi është më lehtë, sepse presidentja Jahjaga atij gjithmonë i ka dhënë mbështetje të parezervë për dialog”, por shton se është ndryshe në rastin e raporteve ndërmjet kryeministrit serb dhe presidentit në Serbi.