Kosova në alarm nga AH1 N1, 29 raste të regjistruara
Lëshohet alarmi në Kosove për gripin e derrit, ose sic njihet ndryshe AH1 N1. Nga të dhënat që japin institucionet shëndetësore mësohet se 29 kosovarë janë të rrezikuar prej gripit të derrit ku një javë më parë është shënuar edhe viktima e parë. Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së, në Kosovë thotë se në klinikë aktualisht po trajtohen vetëm dy raste të pacientëve që janë diagnostifikuar me gripin sezonal H1N1."Gjendja e tyre është e mirë", ka thënë Fazliu, duke shtuar se në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik janë diagnostifikuar gjithsej 29 raste me gripin sezonal influenca AH1N1. Këtë e ka konfirmuar edhe Naser Ramadani, epidemiolog në QKUK, ndonëse sipas tij nuk janë 29, por janë 26 raste të personave që janë të prekur me gripin sezonal AH1N1.Por, kjo duket se nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme, sipas mjekëve, është që qytetarët mos të krijojnë panik pasi është arritur që ta sigurohen vaksinën e cila përdoret për shërimin e këtij gripi.Zëdhënësi sqaron se "Tamiflu" tashmë është siguruar, megjithëse sipas tij, qytetarët duhet të mendojnë për një ilaç tjetër të cilin QKUK nuk e ka."Tamiflu kemi mjaft. Por imunostimuluesit që duhet patjetër të përdoren për ta kaluar këtë grip, duhet të sigurohen nga vetë pacientët për shkak të buxhetit të vogël që ka Ministria e Shëndetësisë", sqaron Fazliu.E pavarësisht rasteve të reja që janë paraqitur me këtë virus, mjekët pohojnë se gjendja aktualisht është stabile dhe se nuk ka vend për ndonjë shqetësim. E rëndësishme, sipas tyre, është që secili qytetar, i cili ka simptomat e gripit të paraqitet për një kontroll rutinë.Ndryshe, një 37-vjeçare nga Prishtina, e cila ishte diagnostifikuar me virusin AH1N1, ka vdekur para një jave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ajo nuk mbijetoi pavarësisht se po trajtohej me "Tamiflu" dhe barna të tjera kundër këtij gripi.Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, prej vitit prillit të vitit 2009 e deri në gusht të vitit 2010, në mbarë botën AH1N1, që shkurt njihet edhe si gripi i derrit, u mori jetën gjithsej 18 mijë e 500 njerëzve.