Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi: Karrierën politike e vendosin qytetarët
Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së dhe njëherë kryetar i legjislativit të vendit, Jakup Krasniqi, i cili nuk ka marr pjesë në Konventën e VI të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk e ndien si të rrezikuar karrierën e tij politike. Ai ka shtuar sot se karrierën e tij e përcaktojnë qytetarët e vendit duke mos dashur të komentoj rreth mbajtjes së Konventës, nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë opozita nuk do ta përkrah një iniciativë të mundshme të PDK-së, për shkarkimin e Krasniqit nga posti i të parti të Kuvendit.“Unë një gjë duhet të ju them. Më së paku kam menduar për vete dhe për postin tim. Mendoj që këtë duhet të keni të qartë edhe ju edhe ata që i informoni. Për karrierën time politike e kam pas thënë një rast dhe po e them janë qytetarët e Kosovës ata që e përcaktojnë”, ka thënë Krasniqi.Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se PDK-ja mund të marr iniciativa të tilla, por nuk do të kenë sukses.“Unë nuk mund të them sot, por ata mund të iniciojnë çdo gjë që nuk shkon për qejfi të tyre. Të qenit konsekuent që zotëri Krasniqi e ka treguar për ta sigurisht është pengesë, por le të provojnë besoj se do të dështojnë si herën e fundit në kërkesën për shtyrje të seancës. Unë nuk mund të them cili është qëndrimi, por sigurisht çdo qëndrim i PDK-së veçmas i kësaj PDK-je aktuale është që nuk duhet me u përkrah, nuk di që del ndonjë kërkesë e tyre racionale”, ka thënë Beqiri.Edhe Shefi i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se një iniciativë për shkarkimin e Krasniqit nuk do të përkrahet.“Ne konsiderojmë që Jakup Krasniqi është zgjedhur me shumicë votash të kërkuara në Kuvendin e Kosovës në momentin kur është zgjedh. Ju e dini që Lëvizja Vetëvendosje ka qenë i vetmi grup parlamentar që nuk e ka votuar këtë zgjedhje të Jakup Krasniqit si kryetar. Megjithatë ne konsiderojmë që Jakup Krasniqi është kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe natyrisht që ne nuk do të përkrahim tendencën e kujtdo për të shkarkuar atë nga posti i kryetarit”, ka deklaruar Ymeri.