Nxitja për punësim, 40-vjeçari me aftësi të kufizuar punësohet për herë të parë

Fier-Gëzim Hoxha është një nga personat me aftësi të kufizuar me të cilin jeta nuk ka qenë shumë miqësore.Një temperaturë e lartë në fëmijëri i vështirësoi të folurin dhe të ecurin. Gëzimi është babai i dy fëmijëve dhe detyrimet si kryefamiljar e kanë bërë të fortë për t'u përballur shumë herë me dyer të mbyllura që nuk i hapeshin apo persona që e diskriminonin.I diplomuar në administrim biznes, 40 vjeçari nuk ka mundur të punojë asnjë ditë. Por nisma për programet e nxitjes së punësimit ka ndezur dritën jeshile për të.Ai është një nga 4 personat me aftësi të kufizuar që pret të përfitojë nga kjo skemë.Specialistja e marrëdhënieve të punës pranë Zyrës së Punës në Fier Fatmira Vruzhaj tregon se vendet e lira për personat me aftësi të kufizuar janë në administratën shtetërore ndërsa shton se dy programet e reja për nxitjen e punësimit do të punësojnë 80 persona.Edhe pse ende është në pritje për të filluar punë, me optimizmin që e karakterizon, Gëzimi është shembulli i mosdorëzimit para sfidave të vështira që të përball shpesh jeta.