Ardhja e Papës, sekretet e transmetimit dhe 40 martirët që presin shenjtërimin

Tiranë – Papa Francesku në Tiranë do të pritet, të dielën e 21 shtatorit, jo vetëm nga populli shqiptar, por dhe nga 40 martirët katolikë, portretët e të cilëve mbushin Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.Nëse për shumicën e qytetarëve ata janë thjesht priftërinj a të panjohur, për Papën ata nuk janë, pasi në Vatikan, emrat e tyre janë në procesin e shenjtërimit. Ajo ç’ka është edhe më interesante, ata nuk janë të gjithë priftërinj: ndërmjet tyre ka edhe laikë, si Qerim Sadiku apo Fran Mirakaj.Dom Gjergj Meta, famulltari i Katedrales “Shën Luçia” të Durrësit, ftuar sot nga gazetari Enkel Demi në “Mëngjes Express” të “Ora News”, tha gjatë bashkëbisedimit:"Papa vjen të takojë popullin shqiptar; vëmendja është e fokusuar tek bashkëjetesa fetare, por dhe tek aspekti i vuajtjes dhe dëshmia e atyre që dhanë jetën për të mbrotur jetën, besimin dhe fjalimin e lirë. Papa vjen edhe për t’i bërë homazh këtij aspekti kaq të rëndësishëm.Portretet në bulevard janë të 40 martirëve katolikë, lista zyrtare e të cilëve është në proces shenjtërimi në Vatikan. Ndër to është një prift katolik i ritit bizantin, plus, ka dhe laikë, siç janë Qerim Sadiku dhe Fran Mirakaj.Fran Mirakaj është një “pinjoll” i familjes Mirakaj të Pukës; nga fisi dhe trungu i ish-Ministrit të Brendshëm të Zogut, Kol Bibë Mirakaj. Fran Mirakaj ka vuajtur nën komunizëm si gjithë të tjerët, por në mënyrë të veçantë, “In odium fidei”, se ai nuk pranoi të mohonte besimin, nuk pranoi të mohonte Krishtin dhe për këtë ai u vra. Ka shumë martirë, - theksoi Dom Meta, por martirë që shpall Kisha, janë ata që vdesin “In odium fidei” (urrejtje ndaj fesë).”“Sekretet” e transmetimit të vizitës nga mediat, 300 të sëmurët në “Nënë Tereza”Dom Meta rrëfeu sesi po përgatitet transmetimi i vizitës së Papës nga rrjetet shqiptare dhe të të gjithë botës, që do të vendosen në Pallatin e Kongreseve. “Sot do të pajiset plotësisht Qendra e Shtypit për pritjen e Papës në Pallatin e Kongreseve, - tha ai. - Kemi vendosur atje qendrën tonë, që do të mirëpresë 400-500 gazetarë, që nga “Al Jazeera”, CNN, ZDF, RAI, Mediaset e rrjetet e mëdha të informacionit, plus reportarët e shtypit të shkruar, fotoreportërë të shumtë etj.Por hapësirat do të jenë të kufizuara për shkak të vendit të ngushtë. Në meshë do të marrin pjesë të gjithë, kurse tek sheshi është një hapësirë e limituar edhe për punë sigurie.Pjesa e meshës është pjesë e Kishës dhe për këtë pasur edhe ndihmën e Protokollit të Shtetit. Ajo që është me interes tek mesha ose në sheshin “Nënë Tereza”, është se atje do të jenë edhe një grup prej 300 të sëmurësh dhe 400 të rinjsh, që do të përshëndetin Papën dhe Papa për t’i përshëndur ato.Kemi një regji qendrore nga TVSH-ja në bashkëpunim me televizionet e reja. Ajo do të garantojë sinjalin direkt që nga avioni në ajër. Gjithçka do të transmetohet drejtpërdrejt.Të gjitha tekstet, siç është praktikë e Selisë së Shenjtë, do të shpërndahen 2 orë përpara “nën embargo”. Të gjithë gazetarët e akredituar kanë nënshkruar një premtim etik, që do të respektojnë “embargon e teksteve”. Psh, Homelia – predikimi që do të bëjë Papa - do të jepet 2 orë përpara për të gjitha redaksitë dhe është nën embargo deri në atë orë që duhet të jepet dhe unë shpresoj që mediat ta respektojnë embargon,” – përfundoi Dom Gjergj Meta.Oranews.tv