Kryeministri spanjoll kundër referendumeve: Europa është për bashkim

Kryeministri spanjoll, Mariano Rahoj, ka dalë haptazi kundër referendumeve të llojit që do të mbajë të enjten Skocia për t'u shkëputur nga Mbretëria e Bashkuar.Spanja, si një nga vendet e BE-së që nuk e ka njohur as pavarësinë e Kosovës, është thellësisht e shqetësuar për shkak të lëvizjeve të tilla në kontinent, pasi e ndjen presionin e krahinave autonome, sidomos në veri të vendit, që duan të shkëputen nga Monarkia.Pak ditë më parë, Presidenti i krahinës autonome të Katalonjës, Artur Mas, deklaroi publikisht se do të mbante një referendum në nëntor për pavarësinë e plotë të Katalunjës."Të gjithë në Europë besojnë se këto procese janë negative dhe sjellin më tepër rrënim ekonomik dhe më tepër varfëri për të gjithë", tha Rahoj në parlament, duke fituar mjaft duartrokitje."Një referendum si ai skocez është një bombë që bie mbi integrimin europian. Europa ka synim integrimin e shteteve, jo shpërbërjen e tyre".