Deklarata për Ambasadorët, PD: Rama fyen shqiptarët, i quan të padenjë
Tiranë-Partia Demokratike ka reaguar ashpër lidhur me deklaratat e shefit të qeverisë Edi Rama për Ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë.Në një prononcim për mediat, ish-Ministri i jashtëm Aldo Bumçi, i dënoi si të papranueshme komentet fyese, sipas tij, të Kryeministrit ndaj diplomatëve.“Sot kryeministri Rama ka bërë një deklaratë të rëndë, të papranueshme. Ka ofenduar dhe sulmuar ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë.Të gjithë e mbajnë mend se si përpara 6 muajve, në takimin vjetor të trupit diplomatik, ai i quajti ata hajvanë dhe injorantë. Sot në një aktivitet, që s’kishte lidhje me diplomacinë dhe politikën e jashtme, jashtë çdo konteksti, me një humor të padenjë për një kryeministër, ai ofendoi përsëri ambasadorët shqiptarë dhe trupin tonë diplomatik.Kur kryeministri nuk ka respekt për ambasadorët e vendit të tij, kush do të ketë respekt. Ai ul respektin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për ata që kanë dhënë kontributin e tyre për liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, marrjen e statusit të vendit kandidat, njohjen e pavarësisë së Kosovës”.Për deputetin demokrat, Kryeministri sot kaloi çdo cak. Bumçi tha se Rama mendon që është Kryeministër i një populli të padenjë dhe kjo është e turpshme dhe skandaloze.“Por sot kryeministri ka kaluar çdo cak. Ai tha që po të kishte qënë një ambasador shqiptar në vendin e ambasadorit mik, që ishte i pranishëm në aktivitet, ambasadori shqiptar do të ishte sjellë në mënyrë të çuditshme. Çfarë po thotë kryeministri?! Që shqiptarët si popull janë të padenjë, sillen në mënyrë të çuditshme. Çfarë e dallonte ambasadorin e vendit mik nga një ambasador shqiptar?!Fakti që nuk ishte shqiptar, se po të ishte shqiptar, do të sillej në mënyrë të çuditshme. Kryeministri sot jo vetëm që ofendoi për të disatën herë përfaqësuesit tanë në botë, por ai ofendoi popullin e tij. Ai mendon që është Kryeministër i një populli të padenjë. Kjo është e turpshme dhe skandaloze”.