PD: Daja i Veliaj po ndërton pa leje; Omeraj: Ja vendimet që rrëzojnë akuzat

Tiranë- Përmes koordinatorit, Ervin Salianji, Partia Demokratike denoncoi të shtunën një ndërtim në Urën Vajgurore për të cilin thotë se po ndërtohet pa leje nga daja i Ministrit të Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, i cili njëkohësisht mban edhe postin e kryetarit të Bashkisë.“PD ka dëshmuar me fakte, se të afërmit e ministrit të Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, konkretisht daja i tij, që është edhe kryetar i Bashkisë së Urës Vajgurore, janë përfshirë në një ndërtim të paligjshëm, që vazhdon edhe në këto momente", ka deklaruar Salianji.Përpara objektit në ndërtim, Salianji shtoi se PD zotëron vendimin e gjykatës së Apelit në Vlorë që e shpalli ndërtimin të paligjshëm.Akuzave u ka dhënë përgjigje vetë kryetari Urës Vajgurore, Syrja Omeraj. Përmes një deklarate të shpërndarë për median, Omeraj sqaron se ndërtesa në fjalë ka qenë në pronësi të vëllait të tij më të vogël, i cili ka ndërruar jetë dhe është trashëguar nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij.Duke bërë publike një seri dokumentesh me anë të së cilave hedh poshtë akuzat e PD së për ndërtimin e paligjshëm, Omeraj akuzon selinë blu në Tiranë se po bën politikë me të vdekur dhe po mbjell helm në shoqërinë shqiptare.Deklarata e plotë e kreut të Bashkisë Ura Vajgurore Unë Syrja Ormenaj, kryetar i Urës Vajgurore, nuk kam në pronësi asnjë ndërtesë të tillë në qytezën tonë. Ndërtesa që pretendon zëdhënësi shëtitës i PD ka qenë pronë e vëllait më të vogël, i cili ndërroi jetë para 4 vitesh nga një sëmundje e rëndë në një moshë fare të re. Më pas, pronën e tij e trashëguan gruaja e ve dhe 3 fëmijët e vegjël. Pas fitoreve radhazi të zgjedhjeve lokale, jam sulmuar sistematikisht nga PD lokale dhe ajo qendrore me kontrolle e sulme të vazhdueshme 4 vjet, të cilat edhe INUK edhe Gjykatat i kanë hedhur poshtë.Më poshtë janë edhe vendimet respektive të fituara. Duke qenë se PD na bombardoi me një seri persekutimesh në Gjykata, jemi ende duke e ndjekur në shkallët e larta gjyqin e fundit me ta, në mbështetje të kunatës sonë, ashtu si çdo familje shqiptare do të mbështeste të afërmit e vet, sidomos në këto rrethana të një gruaje që lufton e vetme.Nëse PD në pushtet 8 vjet e kishte këtë bindje, atëherë pse nuk ja prishi jetimëve ndërtesën gjatë atyre viteve? Shpesh dhe njerëzisht, kam tentuar të arsyetoj me drejtuesit e PD të mos bëjnë politikë me të vdekurit, dhe hesapet politike për fitoret e zgjedhjeve 2007 e 2011 t'i lajnë me mua e jo me kunatën e ve e nipërit e mbesat. Kjo përpjekje ka qenë pa sukses.Mesa duket, PD e ka praktikë të përdorë çdo vdekje e çdo dasëm për qëllime politike. Ky është vendimi i tyre. Por, këtu në Urë Vajgurore e në gjithë Shqipërinë njerezit zgjidhen prej punëve që bëjnë e jo prej baltës që hedhin. Ata mund të përgojojnë pronën e vëllait tonë të ndjerë, por kush ka sy e vesh e kupton se ky helm që PD mbjell në shoqëri çdo dite nuk është as progres as alternativë qeverisëse.Mbetem i hapur për çdo transparencë me publikun, i vendosur për të bërë më të miren si Kryetar, por edhe si familjar, ashtu siç do të bënte çdo shqiptar i mirë.