Nishani-Kodheli “harrojnë” përplasjet, bashkë kundër IS tek “Luani”
Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe Ministerja e Mbrojtjes Mimi Kodheli kanë lënë mënjanë përplasjet institucionale për kompetencat, për të treguar qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë si anëtare e NATO-s, që është e gatshme të kontribuojë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.Të pranishëm në “Ditën e Vizitorëve të Shquar”, në kuadër të stërvitjes së përbashkët shqiptaro-britanike "Albanian Lion 2014", krerët e mbrojtjes shqiptare në krah të Ambasadorit britanik riafirmuan qëndrimin për të qënë në krah të Aleancës përballë sfidave globale.Për Presidentin Nishani këto e bëjnë aleancën shpresën e paqes dhe lirisë.“Zhvillimet shqetësuese në Ukrainë, përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe lirinë, një shqetësim të madh për gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe padyshim përbëjnë një sfidë kritike për Aleancën e NATO-s. Aleanca e Atlantikut të Veriut e ka tejkaluar me sukses “sovranitetin territorial të hapësirës euro-atlantike” ,Aleanca jonë e përbashkët është shpresa e paqes dhe lirisë në të gjithë globin”.Kriza në Ukrainë dhe lufta ndaj Shtetit Islamik konsiderohen edhe nga shefja e Mbrojtjes shqiptare si sfida të mëdha për Aleancën e NATO-s, ndaj Kodheli shpjegoi vendimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur me armatime qeverinë e Irakut.“Të gjithë kemi parë me një shpejtësi marramendëse brutalitetin e ngjarjeve tragjike në Irak dhe Siri. Terrorizmi dhe fondamentalizimi, të cilat kanë ekzistuar, po kapërcejnë çdo limit dhe po shkelmojnë çdo parim themelor dhe vlerë universale. Ne nuk mund të lejojmë që kjo situatë të vazhdojë.Prandaj Shqipëria mori vendimin për të vepruar shpejt dhe në koherencë me aleatët, për të mbështetur qeverinë e Irakut me armatim dhe municion. Ndër vite ne kemi treguar se kemi vullnet, jemi të përgjegjshëm dhe të vendosur për të vepruar, kudo dhe kurdo. Jam e bindur se kjo do vazhdojë të jetë e vlefshme dhe në të ardhmen”, u shpreh ministrja Kodheli.Stërvitja "Albanian Lion 2014", konsistoi në kryerjen e operacioneve të evakuimit të civilëve nëpërmjet rrugëve detare dhe ajrore. Në këtë stërvitje morën pjesë 600 trupa.