Çollaku: Mafia i është vërsulur financave, ‘Fullani’ e ‘Santo’ jo koiçidenca
Tiranë- Arrestimi i Guvernatorit të BSH-së, Ardian Fullani, ishte fundi i një zinxhiri ngjarjesh që tregojnë për kapjen e shtetit nga mafia. Deklarata vjen nga koordinatori i PD-së, Kreshnik Çollaku. Në një intervistë në RTV Ora News për gazetaren Jonida Shehu, ai theksoi se nëse mafia i është vërsulur financave të vendit ajo do vigjilencë nga çdo qytetar.“Çdo qytetar duhet të jetë në vigjilencë të lartë politike në këto ngjarje që po ndodhin.Ka disa ngjarje që të bëjnë përshtypje. Kemi prova të forta për shuma të mëdha parash që janë përdorur për të blerë zgjedhjet, më pas kemi transportin e lëndëve narkotike me avion, kapet një ngarkesë e madhe e lëndëve narkotike nga Kolumbia në Shqipëri, ekzekutimin në mes të Tiranës të një bankieri dhe kemi arrestimin totalisht në dhunim të çdo të drejte të Guvernatorit të Bankës. Të gjitha të bashkuara është situatë që ndjell frikë. Këtu ka kundërmim të një situate mafioze.Nëse mafia i është vërsulur financave të vendit ajo do vigjilencë nga çdo qytetar. Këto janë shenja për të goditur një sektor jetik të vendit. Ne po përceptojmë pasojat. Absolutisht po hetimi, përgjegjësia, por kur akuzohet Guvernatori i BSH për shpërdorim detyre nuk mund të merret dhe izolohet në kafaz prej një jave” tha ai.Rutina e mosbashkëpunimit politik mazhorancë-opozitë duket se do të vazhdojë dhe bojkoti i PD po ashtu. Çollaku thotë se të gjitha qeveritarët kanë mëkatuar nga pak, por kjo qeveri nuk ka të ngopur me pushtetet.“Rutina e mosbashkëpunimit është ves i vjetër i politikës në vend. Klima e bashkëpunimit ka të bëjë me një vendim që çdo forcë politike duhet të marrë, i takon mazhorancave të parave të marrin vendimin për të sakrifikuar diçka nga pusheti absolut për të dhënë një shenjë të besimit të mirë te pala tjetër. Të gjitha palët e kanë bërë këtë mëkat, të konsiderimit të opozitës si një armik që duhet asgjesuar.Kjo mazhorancë nuk po ngopet me pushtetet që ka marrë. Bleu deputetë të opozitës, përpiqet të bëjë diversion, futet në procese duke sfiduar, këto nuk janë shenja bashkëpunimi. Dhe për të përfunduar tek aktet flagrante në parlament, dhunimit të opozitës”.Si ish-zëvendës.ministër i Jashtëm, Çollaku analizoi dhe ngërçin politik në Kosovë. Në gjykimin e tij nëse palët superojnë emotivitetin politik, zgjidhja ekziston. Ai theksoi se Kosova ka nevojë për një monitorim të partnerëve ndërkombëtar, por kjo mbetet një lojë që duhet ta luajë vetë politika kosovare.“ Është jashtëzakonisht e rëndësishme të respektohen vullnetet politike, procedurat demokratike, stabiliteti politik i Kosovës është jetik. E fundit gjë që i duhet është një krizë apo ngërç politik. Duket se ka shenja pozitive. Nëse palët superojnë emotivitetin politik, zgjidhja ekziston. Situata ka një përkthim dhe përkthimi është që ka një shumicë tjetër në politikën në Kosovë të votuar nga qytetarët që konfirmon një vullnet të caktuar dhe ky vullnet duhet të shkojë në vend.Procedurat janë të rëndësishme por nuk mund të rrezikojnë vullnetin. Deklarata e faktorit ndërkombëtar është për tu përshëndetur. Kosovës i duhet një monitorim, por është një lojë që politika kosovare duhet ta luajë vetë.Koalicioni që do të realizojë qeverisjen duket solid, deri më sot nuk ka shenja për ndonjë trazirë të mëpasshme. Nuk besoj se do ketë të çara koalicioni.Ky ngërç duhet të kalojë, do isha në disfavor të zgjedhjeve të tjera”.Intervista e plotë e Kreshnik Çollakut në Ora News