Kujt i duhet nacionalizmi?!
Nacionalizmi dhe europeizmi ballkanik Nacionalizmi prej shekujsh vazhdon të mbetet një fushë dhe ligjërim ku interpretimet, keqpërdorimet, spekulimet dhe ndeshjet nuk reshtin, brenda të cilave gjithmonë ajo e mallkuara dhe njëkohësisht ajo e mira dhe domosdoshmja, politika, ka pasur dorën e saj të gjatë. E hipnotizuar prej forcës emocionale të tij, politika si aplikim shpesh është tërhequr prej tij si një ideologji me veprim të shpejtë, brenda një alkimie magjike të pathënë. Madje, në momente të caktuara ka qenë pikërisht ai, nacionalizmi, që e ka udhëhequr politikën, duke e çuar atë shpesh në gremina dhe humnera të pafundme. Por jo rrallë me mençurinë e saj politika e ka menaxhuar dhe e ka përdorur atë dhe aftësinë tërheqëse të tij si forcë motivuese apo dhe si pedanë për të kapur objektiva dhe qëllime të momentit, sikurse si armë për të gjunjëzuar kundërshtarin politik.Hapësira ballkanike mbetet e konfiguruar brenda një realiteti dihotomik interesant, pasi bashkë me ëndrrën europiane, kombet e këtij rajoni i duhet të përkundin dhe ëndrrën nacionale. Megjithatë, këtu nuk bëhet fjalë për të zgjedhur njërën në raport me tjetrën, por më shumë për të gjetur pajtimin e duhur që kombet e tjera kanë kohë që e kanë arritur. Integrimi europian ka treguar që historitë problematike të rivendikimeve territoriale si Alzas-Lorena apo ajo e Sudeteve i përkasin së kaluarës. Një fakt i tillë të bind të besosh dhe se brenda tij mund të sfumohen dhe historitë e trazuara të Ballkanit. Për një gjë të tillë politikanët e rajonit janë të bindur dhe njëkohësisht janë dëshmuar si reflektues të qartë të ideve dhe tërheqjeve europianizuese. Ajo që mbetet problematike vazhdon të jetë çështja e perceptimit të ndryshëm të prevalimit të njërës apo tjetrës. Pra, thënë ndryshe, problemi shtrohet se cila çështje është parësore: ajo europiane, apo ajo nacionale? Në këtë perspektivë, diferencat në Ballkan janë të dukshme.Për grekët ëndrra europiane u shkërmoq brenda një kohe rekord, bashkë me ekonominë, e cila për pak desh shkaktoi dhe funeralin e vetë euros. Jo çuditërisht nacionalizmi antieuropian, sikurse dhe e kundërta e tij, internacionalizmi antieuropian majtist, deri diku i fjetur ose më saktë i vënë në gjumë nga vetë europianët deri në atë kohë me anë të dhënies së benificeve enorme ekonomike, u demonstruan qartë si ideologji politike me terren të fituar, me hyrjen në Parlamentin e ri të forcave ekstreme nazinacionaliste dhe majtiste. Narcisi u dëshmua të ishte pikësëpari grek dhe më pas europian.Për politikanët serbë, para çdo gjëje çështja e Veriut të Kosovës e jo thjesht vetëm kaq, sikurse dhe ajo e Preshevës, mbeten primare. Ligjërimet liberale në raport me çështjen nacionale këtu janë penalizuese dhe elektorati mbetet preferencial i gjuhës së ashpër nacionaliste në raport me gjuhën proeuropianiste. Karrierat politike të individëve dhe fatet e partive politike këtu përcaktohen pikërisht akoma nga nervi nacionalist. Në një këndvështrim të distancuar, e sheh qartë që programet elektorale të forcave në garë nuk konkurrojnë për përmirësime ekonomike, por më shumë për ide që lidhen me ato që konsiderohen çështje jetike të prejardhjes historike.Për maqedonasit, identiteti i të cilëve është i mbërthyer brenda një trekëndëshi historiko- mitik, ende të padeshifrueshëm, shqiptaro-sllavo-grek, që më shumë se formal i ngjan trekëndëshit të Bermudeve, ku avioni europian zhduket sapo shfaqet në hapësirë, çështja nacionale mbetet gjithmonë më problematikja. Elementi artificial etnik këtu duket dominant dhe kushtëzon shumë mënyra sjelljeje dhe veprimi politik. Kjo shpjegon dhe pozitat e forta të partive me theks nacionalist, përjashto partitë shqiptare, të cilat, të gjendura në pozita gjithmonë mbrojtëse, i duhet të merren më shumë me përballje nacionaliste, sesa me shfrime të tilla.E gjithë kjo panoramë jo e bukur, bëhet dhe baza e gjenerimeve të tensioneve politike dhe apolitike si intra, ashtu dhe ekstra, të cilat më shumë se pasoja të drejtpërdrejta të emocioneve të tilla nacionaliste, me pak përjashtime, duket se janë pasojë pikësëpari e keqmenaxhimeve ekonomike e politike nga kastat partiake të momentit. Në këtë hapësirë, ajo që kondicionon tonin nacionalist, është lufta politike për pushtet midis partive me programe ekonomike me pak diferenca dhe me zgjidhje miope, brenda së cilës gara për nacionalitet maksimal përkthehet në mbështetje votuese më të shumtë.Jo për çështje fati, pasi ky pothuaj asnjëherë nuk ka qenë në anën tonë, për ne shqiptarët çështja nacionale progreson me të njëjtin ritëm dhe forcë, bashkë me çështjen europiane dhe asnjëra nuk tejkalon tjetrën. Këtu nuk bëhet fjalë fare për prevalencë, por pikërisht për bashkërendim, me qëllim që ne si komb të bëhemi pjesë e natyrshme e Europës, brenda së cilës kërkojmë të shprehim identitetin dhe vlerat tona nacionale si vlera të pakundërshtueshme dhe si pjesë e rëndësishme e vlerave universale. E gjitha kjo është jo vetëm produkt i veprimit politik aktual, por dhe një pasojë e historisë. Përgjatë kësaj, nacionalizmi shqiptar, edhe në momentet e tij më shprehëse, mbetet një nacionalizëm natyral, konvergues e pajtues me frymën europiane dhe krejt i kundërt me pansllavizmat apo megalidhetë. Në asnjë moment të tij ai nuk ka qenë i deformuar dhe as ksenofob. Si i tillë, ai nuk e eklipson patriotizmin, por është identar me të, pasi kufijtë brenda të cilave ka lëvizur nacionalizmi shqiptar ka qenë gjithmonë pikërisht patriotizmi. Jetësisht ndër shekuj ai ka ruajtur pamjen e atdhetarizmit dhe të kombëtarizmit.Të gjitha këto ngjyrime e bëjnë atë një lloj “kutie Pandore”, të cilën të gjithë kërkojnë ta hapin dhe të gjithë kërkojnë ta mbajnë të mbyllur njëkohësisht. Pasojat tragjike të hapjes së saj të gjithë ende i kanë në kujtesë. Srebrenica, Monstari, Kosova, janë shembuj që thërrasin.Nacionalizmi partiak shqiptarNatyralizmi i nacionalizmit shqiptar ka bërë që brenda spektrit politik shqiptar, përqafimi i tij të realizohet brenda specifikës themelore që kanë forcat politike dhe njëkohësisht me frekuenca të ndryshme kohore. Në pamje të parë duket se detyrat europiane ndaj politikës e kanë mekur disi zërin nacionalist, ose thënë ndryshe, zërin kombëtarist. Por, në të vërtetë, në përputhje me natyrën e tij dhe vokacionin e vet të shqiptarëve ato thjesht kanë ndryshuar mënyrën e shprehjes së tij. Në diferencë nga vendet të cilat përmendëm, në hapësirën shqiptare, forcë politike më kombëtare ose për hir të terminologjisë, më nacionaliste mbetet ajo forcë që ndikon me program dhe veprim konkret në realizimin e aspiratës integruese europiane, sigurisht me bindjen e saktë se një gjë e tillë ndihmon dhe në zgjidhjen e çështjes kombëtare. Dhe këtu gjërat mbeten të qarta. Diferencat midis së djathtës dhe së majtës janë të dukshme dhe pothuaj të vulosura.Nën devizën e Manifestit të Marksit, sipas të cilit “komunistët nuk kanë atdhe”, e majta vazhdon ta shohë atdheun si hapësirë opsoniale dhe pavarësisht formaliteteve ligjërimore, ai mbetet për ta aspirata e fundit, e cila nuk del asnjëherë mbi aspiratat për sundim politik. Shembujt janë të pafundëm, por më i spikaturi është ai i fundit: rezistenca biblike e së majtës sonë për tre vjet rresht, për të penguar me çdo kusht dhe me çdo formë marrjen e statusit të vendit kandidat. Për të përfituar politikisht dhe për t’i hequr kundërshtarit argumentet e suksesit, të majtët ia nënshtruan kombëtarizmin alias nacionalizmin plotësisht politizimit banal.E djathta, si në përgjithësi, ashtu dhe ajo shqiptare, për hir të thelbit të vet politik konservator dhe progresist, mbetet përjetësisht nacionaliste, dhe kjo nuk është çështje thjesht parashtrimesh, pasi PD, që në programin e saj të parë, e përcaktoi çështjen kombëtare si yllin polar të politikës së saj në përputhje më ëndrrën historike europiane të shqiptarëve. Dhe përgjatë gjithë këtyre viteve pushtet apo opozitë, kjo konsekuencë ka njohur vetëm evolucion, e shprehur kjo me suksese konkrete, të cilat lidhen jo thjesht me lobimin e mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe gjallërimin e çështjeve të tjera, por dhe me ngritjen lart të pozitës faktorizuese dhe emrit të Shqipërisë, shoqëruar me projekte investuese që fizikisht mundësojnë fshirje pengesash e kufijsh komunikimi.Kujtojmë këtu nënshkrimin Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, hyrjen në NATO, liberalizimin e vizave, përpjekjet kolosale për marrjen e statusit. Shto kësaj vlerësimet e vazhdueshme pozitive që Shqipëria ka marrë nga organizma me reputacion ndërkombëtar për indiciet e saj ekonomike e turistike. Pa harruar rrugët strategjike të ndërtuara me sukses. E gjitha kjo përpjekje shprehet si rezultante pozitive në gjeopolitikat aktuale të rajonit.E preokupuar në këtë ndërmarrje gjigante, zgjidhjen përfundimtare të së cilës e djathta e ka parë gjithmonë të lidhur me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe jo vetëm të saj në BE, deklaratat nacionaliste të pretenduara duket se nuk kanë atë tingëllim që kërkojnë t’ia veshin parti, lobe apo rryma në të shumtën e rasteve antishqiptare.Revokimi i një realiteti historik që kishte brenda emrat e ndjeshëm të Preshevës dhe të Prevezës, nga ana e Kryeministrit Berisha, nën kontekstin e një atmosfere festive dhe brenda logjikës së thjeshtë, nuk kishte si të shkaktonte atë reagim, zemërim apo protestë, të cilat më shumë se iu kundërvunë deklaratës, u munduan të ishin në formulime, akoma më shumë nacionaliste.Po cilët ishin më shumë të interesuar për të amplifikuar këtë lloj nacionalizmi informal dhe përse?Është e vështirë të ndash në radhë kohore se cilët ishin reaguesit e parë: zyrtarët grekë apo zyrtarët e majtë shqiptarë? Brenda linjës diplomatike, reagimi i zyrtarëve grekë përmban nota justifikuese, por pa qenë aspak i justifikuar. Dhe notat justifikuese lidhen me gjendjen e krizës ekonomike e sociale që përjeton Greqia, me gjetjen e motivacioneve ekstra për të rikuperuar sadopak nacionalitetin e dëmtuar ndëkombëtarisht, si dhe për të arritur atë që klasa politike e re diverse greke po e kërkon me ngulm: një lloj pajtimi unitar kombëtar me politikën, rruga më e shpejtë e arritjes të së cilit gjithmonë është krijimi i një armiku të jashtëm.Për hir të realitetit, kthesa zyrtare e pritshme e Greqisë ndaj këtij qëndrimi erdhi pas disa kohësh, por në vetvete ajo la një eko të fortë brenda partive nacionaliste dhe antishqiptare, të cilat gjetën terrenin e duhur për të fituar mbështetje dhe reputacion duke u deklaruar me qëndrime ksenofobe dhe neonaziskine.Më i çuditshëm në këtë histori ishte reagimi i së majtës shqiptare, e cila pak ditë para deklaratës kishte vulosur në Parlamentin shqiptar qëndrimin e saj të natyrshëm antikombëtar, me refuzimin që u bëri ligjeve që hapnin rrugën e marrjes së statusit. E gjendur gjithmonë në raport edipik me atdheun për hir të dashurisë me internacionalizmin, e majta gjithnjë e ka vuajtur pamjen e saj jonacionaliste dhe është përpjekur ta kamuflojë handikapin më penalizues të saj. Mllefi ndaj efekteve të festës madhështore të 100-vjetorit si dhe situata parazgjedhore e çuan atë në përfundimin e goditjes së deklaratës historike, me qëllimin e pastër për të fituar pak nga terreni i humbur i ndjenjës kombëtare. Ky lloj banaliteti teatror që vazhdoi disa javë, kishte brenda dhe një djallëzi të vogël, e cila, dashje pa dashje, krijonte një lloj lidhje me vitin e mbrapshtë ‘97. Amplifikimi kërkoi në analogji me ’97-n të zgjonte ndjenjat antiberishiane të miqve të tyre përtej kufirit. Qëllimi i ishte i thjeshtë – e majta kërkonte të rigjente aleatë për t’i pasur krah vetes në situatën zgjedhore që po vjen dhe njëkohësisht ta paraqiste lidershipin aktual qeverisës si prishësin kryesor të ekuilibrave nacionalistë në rajon, gjë që nuk përputhet aspak me realitetin, kur dihet roli dhe qëndrimi stabilizant i Shqipërisë.Brenda gjithë kësaj hipokrizie të konsumuar faqe gjithë botës, ajo që e majta kërkonte ishte jo Shqipëria, jo atdheu, por thjesht pushteti.Klithjes të së majtës ndaj rrezikut nacionalist dhe përdorimit të tij si kartë zgjedhore nga e djathta, iu shtua dhe zëri i çjerrë i një force politike të re të paprogram, të Aleancës Kuqezi, e cila me nacionalizmin e saj të dyshimtë karnavalesko-butaforik, realisht po u bën shërbimin më të mirë të mundshëm nacionalizmave antishqiptarë në rajon. Me veprimet e saj kaotike dhe pa nivel politik, ajo po krijon një bazë të fortë justifikuese si për veprimet antishqiptare serbe në Preshevë që u shoqëruan dhe me heqjen e memorialit për dëshmorët e luftës, reagimi ndaj së cilës është detyrë e të gjithëve, ashtu dhe për deklaratat e theksuara antishqiptare krejtësisht të dënueshme dhe të papranueshme, të forcave politike ekstreme greke apo maqedonase.Duket e habitshme pse kjo forcë politike, n.q.s. e meriton të quhet e tillë, insiston të amplifikojë dhe njëkohësisht çuditërisht ta anatemojë një deklaratë me kontekst të qartë historik, kur vetë kërkon të implikojë tërë politikën në qëndrime të paekuilibruara dhe që ndikojnë në imazhin pozitiv që Shqipëria e ka ndërtuar me kujdes përgjatë këtyre viteve, me dëshirën e mirë që gjithçka të vijë në ndihmë të çështjes kombëtare.Përgjigjet, në fakt, për tërë këto dyshime lidhen me ato mekanizma politikë që gjenerohen brenda së majtës dhe që në unison me elemente antikombëtare duan të arrijnë me çdo kusht rikthimin në pushtet.Nacionalizmi i sharlatanizuar i tipit majtisto-AK u duhet antinacionalëve, ose më saktë terminologjikisht u duhet antikombëtarëve.Burimi: panorama.com.al