PS për ekonominë, Bushati: Biznesi duhet të çlirohet nga monopolet dhe politika

Biznesi duhet të clirohet nga monopolet dhe ndikimet politike.Kjo është emergjenca paraprake për ti hapur frymën zhvillimit ekonomik të vendit sipas Partisë Socialiste. Sekretari për ekonominë në PS, Ervin Bushati deklaron se në 22 vite demokraci asnjë nga qeveritë nuk ka pasur një plan të qartë rreth asaj se ku do të shkojë ekonomia shqiptare. Bushati nuk ka kursyer dhe akuzat në drejtim të qeverisë aktuale për shpërdorim të parave të taksapaguesve si dhe investime të gabuara, të cilat sipas tij nuk janë përkthyer në përfitime, duke mos dhënë kështu as një ndikim pozitiv për ekonominë e vendit.“Shqipëria vazhdon të jetë në një tranzicion ekonomik, nuk është infrastruktura e duhur. Në të gjithë këto vite qeveritë shqiptere nuk kanë punuar për të ndihmuar motorin kryesor ekonomik, që është biznesi, është vepruar pa pasur një plan të qartë se ku do të shkojë ekonomia. Duhet të clirohet nga monopolet biznesi, duhet të dalë nga ndikimet politike. Në kapitalizëm vlerat i krijon vetëm kapitali, biznesi, ndërkohë që këto para nuk përdoren mirë nga qeveria, së pari përdoren për vota dhe së dyti nuk ka dhënë ndikimet e duhura. Politika nuk ka përdorur paratë në ndihmë të ekonomisë, ndërkaq shumica e investimeve kanë doza të forta korrupsioni. Megjithatë është gjë e mirë që në këtë fushatë po flitet për ekonominë, njerëzit janë të interesuar se cdo ndodhë me ekonominë.Është e trishtë që Kryeministri sulmon opozitën. Kryeministri deformon dhe merr jashtë konteksti dicka që lexon, kjo nga ana ekonomike, ndërsa politikisht më vjen keq që mendon se vendi qeveriset nga opozita. Ai tenton ti shmanget përgjegjësive të tij dhe të sulmojë opozitën. Berisha sulmon planin e PS se ka parë që ka prekur një nerv të problemeve ekonomike shqiptare. PS ka qenë në kontakt me bizneset e vogla, duke i pyetur dhe dëgjuar për problematikën që kanë dhe këto që themi ne vinë nga këto diskutime, ka qenë një proces i tërë për të ardhur tek programi ynë për ekonominë” deklaroi ai.Në RTV Ora News Bushati ka folur edhe për dështimin e privatizimit të CEZ, ku tha se e gjithë kostoja dhe dëmi ekonomik do të rëndojë në buxhetin e shtetit, e për pasojë në xhepat e qytetarëve. Teksa ka theksuar edhe njëherë se nëse PS vjen në pushtet do të rishohë të gjitha privatizimet e ndërmarra nga kjo qeveri, Bushati ka deklaruar se ashtu si për telefoninë edhe për energjinë do të ishte mirë nëse do të kishte disa operatorë, për ta cliruar njëherë e mirë nga monopoli.“Ndërkohë që flitet për një Shqipëri dixhitale skemi akoma një Shqipëri elektrike, është tragjike. Dëmet financiare janë komplet kosto që mbulohen nga buxheti i shtetit, është absurde që të flitet sot që në një ekonomi tregu të mbledhësh 26% të asaj cfarë investon. Ndërsa dëmi ekonomik është fitimi i munguar. Nuk do ishte serioze nëse një forcë politike që vjen në pushtet të mos rishikonte atë cfarë ka ndodhur me ekonominë. Që në cmimin e vendosur kemi abuzim, u shitën për një copë bukë, kostoja kryesore rëndon mbi publikun. Do ishte mirë që të kishte disa operatorë, edhe energjia elektrike është si telefonia, ëhstë një komoditet, një mall që konsumohet në treg. Privatizimet duhen parë si mund të bëhen funksionale për publikun” tha Bushati.