Haxhinasto pret Ambasadoren çeke: Marrëdhëniet politike duhen ndarë nga problemi i CEZ
Përballë një kërcënimi të dukshëm të Çekisë, as më shumë as më pak se Kryeministri i saj pas heqjes së licencës për kompaninë CEZ, zëvendës/kryeministri dhe Ministri i Energjetikës Edmond Haxhinasto kërkon që marrëdhëniet politike me Çekinë të ndahen nga problemet e kompanisë CEZ.Në një takim që pati me ambasadoren e Republikës së Çekisë Bronislava Tomasova, ministri Haxhinasto theksoi se çdo thirrje për t’i përzier këto dy problematika është e dëmshme dhe nuk i shërben askujt.Gjatë takimit Haxhinasto vlërsoi se motivimi për privatizimin e sektorit jetik të shpërndarjes nga një kompani çeke ka qenë i bazuar në dëshirën për të pasur një performancë të lartë të standardeve evropiane në këtë sektor dhe jo për të krijuar një problem që ka ardhur nga keqmenaxhimi i kësaj kompanie.“Problemi i shoqërisë CEZ Shpërndarje është një problem i karakterit komercial, lindur nga mospërmbushja prej saj i detyrimeve kontraktuale dhe ato që rrjedhin nga kuadri ligjor e rregullator në vend.”- u shpreh ministri i METE-s.Ministri Haxhinasto theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE synon përsosjen e standardeve të tregut të lirë dhe kuadrit rregullator dhe jo përkeqësimin e tyre. Ai gjithashtu nënvizoi se tregu shqiptar është shumë i përshtatshëm për të tërhequr investimet e huaja në vend.Vetëm dy ditë më parë, kryeministri çek Petr Necas kërcënoi Shqipërinë me bllokim për në Bashkimin Europian, pas vendimit për t’i hequr licencën kompanisë CEZ.Në një intervistë të dhënë për Fox Business, kryeministri çek tha se heqja e licencës së CEZ do të thotë një trajtim jo i mirë i investitorëve të huaj, ndërsa vendi humb shanset për të pasur mbështetjen e Çekisë në BE.