Fyle paralajmëron indirekt Nikoliç: Kosova dhe Serbia s’mund të bllokojnë njëra-tjetrën në integrimin evropian
Kosova e Serbia nuk mund ta bllokojnë njëra tjetrën në integrimin evropian. Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, u shpreh i kënaqur me përparimin që është arritur deri tani në dialogun Kosovë-Serbi. Duke folur në një konferencë për media në Strasburg, Fyle theksoi se rezultatet e takimeve të fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë janë të prekshme.Ai përmendi marrëveshjen për implementimin e IBM-së dhe çështjen e doganave. Fyle nuk deshi të komentoj deklaratat e ambasadorit gjerman në Beograd se çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB duhet të hapet gjatë dialogut në Bruksel, por ai theksoi se kushtet për Serbinë janë të qarta nëse dëshiron të afrohet me Bashkimin Evropian.Një ndër kushtet tha Fyle mbetet edhe normalizimi i raporteve me Kosovën. I pyetur nëse në fund të dialogut do të nënshkruhet një traktat paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, Fyle tha se BE-ja nuk i ka vendosur emër përfundimit të dialogut, por është më se e qartë se të dyja vendet nuk do të mund të bllokojnë njëra tjetrën në rrugën e integrimit evropian.Fyle u paraqit në konferencë bashkë me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jean Claude Mingnon, i cili referuar miratimit të rezolutës për Kosovën tha është herët të flitet për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë. Por, sipas tij e rëndësishme mbetet vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta të Këshillit të Evropës me autoritetet kosovare.