Kriza politike, Fyle vizitë "surprizë" në Shkup
Në mes të krizës politike në Maqedoni, Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fyle mbëriti në Shkup në një vizitë të pa-paralajmëruar në përpjekje për uljen e tensioneve midis partive më të mëdha maqedonase të pushtetit dhe të opozitës.Nuk janë dhënë shumë hollësi lidhur me bisedat që ka zhvilluar Fyle dhe nëse ka arritur ta bindë opozitën që të heqë dorë nga bojkotimi i Parlamentit dhe paralajmërimet për bojkotimin edhe të zgjedhjeve të pritshme vendore. Ndërkohë, opozita e drejtuar nga Lidhja Social Demokrate po bllokon kryqëzime të rëndësishme të rrugëve në një sërë qytetesh të Maqedonisë, duke shprehur kështu pakënaqësinë për shpërfilljen e kërkesave të saj.Fyle ka zhvilluar takime me presidentin Gjorgje Ivanov dhe kryeministrin Nikolla Gruevski si dhe me kryetarin e Lidhjes Social Demokrate të opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski.Sipas një njoftimi të qeverisë maqedonase është folur për bojkotin e punimeve të Parlamentit nga ana opozitës, si dhe për reformat që po bën Maqedonia në kuadër të synimeve për integrim në Bashkimin Evropian.Komisioneri Fyle ka diskutuar edhe mbi përgatitjet për shqyrtimin e raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë që pritet të dalë në pranverë, e që ka të bëjë me caktimin ose jo të datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.Fyle vizitoi Shkupin pas dështimit të dialogut midis dy drejtuesve të partive më të mëdha maqedonase, Nikolla Gruevskit dhe Branko Cërvenkovskit të partive VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social Demokrate.