Ukrainë, një armëpushim midis Kievit dhe Moskës?
Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko ka deklaruar se ka arritur një marrëveshje me Presidentin rus Putin për një armëpushim të ri në lindje. Fillimisht, Presidenca në Ukrainë deklaroi se armëpushimi ishte i përhershëm, por më vonë e ndryshoi deklaratën e saj.Menjëherë pas deklaratës së Poroshenkos ka ardhur edhe reagimi i Kremlinit, ku thuhet se Presidenti Putin nuk ka rënë dakord për asnjë armëpushim, pasi Rusia nuk është palë në konflikt. Ishte zëdhënësi i Putin, Dmitri Peskov, i cili sqaroi për agjencinë e lajmeve ruse “Ria-Novosti” se Putin dhe Poroshenko kanë biseduar për krizën, por nuk kanë arritur marrëveshje armëpushimi, pasi Rusia nuk është në konflikt me Ukrainën.Në deklaratën e parë të Ukrainës thuhet se pas një bisede mes dy Presidentëve është arritur marrëveshja për armëpushim të përhershëm në Donbass në rajonet Donetsk dhe Luhansk ndërsa në versionin e dytë është hequr fjala “të përhershëm”, duke lënë të papërcaktuar afatin kohor të paqes.Separatistët pro-rusë janë duke luftuar ndaj forcave të Kievit në rajonin kryesisht rusisht-folës të Donbassit, në të cilin është ngritur thuajse pjesa më e madhe e industrisë së rëndë të Ukrainës e që përbën rreth 18% të Produktit të Përgjithshëm Bruto të vendit.Më shumë se 2 600 civilë dhe luftëtarë janë vrarë dhe më shumë se një milion persona kanë ikur nga shtëpitë e tyre, që kur luftimet shpërthyen në lindje të Ukrainës në muajin prill, kohë në të cilën separatistët pro-rus shpallën pavarësinë.Oranews.tv