52 mln lekë nga Bashkia për rikonstruksionin e rrugës “Llazar Shapatini”

Me një investim prej 52 milionë lekësh ka nisur ndërtimi i rrugës “Llazar Shapatini”, e cila fillon tek shinat e Trenit, vazhdon deri tek rruga ”Rreshit Maloku” dhe shtrihet në një zonë informale në njësinë bashkiake nr.9. Kryebashkiaku Basha, së bashku me deputeten e zonës Majlinda Bregu dhe kryetarin e njësisë bashkiake numër 9, Indrit Fortuzi, inspektuan nisjen e punimeve të kësaj rruge e cila u shërben rreth 4 mijë banorëve.“Kjo rrugë me gjatësi 600 metra linearë, e pashtruar dhe e paprekur asnjëherë, do i nënshtrohet një ndërtimi të plotë, duke filluar nga kanalizimet e ujërave të zeza, ujërave të shiut, ujësjellësit, ndërtimi i trotuareve, gjelbërim e ndriçim, ndërkohë që do të merren masa edhe për rehabilitimin e mureve rrethues të shtëpive, atje ku është e mundur me modelin e kangjellave dhe atje ku nuk është e mundur nëpërmjet mureve mbajtës. Kjo rrugë u shërben 4000 qytetarëve të Tiranës dhe unë e kam vizituar në muajt maj e qershor, në muajt e verës, të mbuluar nga pluhuri dhe sot e vizitoj të mbuluar nga balta, shenjë e qartë e mungesës totale të vëmendjes për këtë pjesë të qytetit, me përjashtim të disa “hijeve” që vijnë e zhduken natën por që nuk japin llogari për të kaluarën dhe nuk kanë se përse të japin, pasi qytetarët kanë zgjedhur tashmë projektin e së ardhmes” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.Projekti i ndërtimit të kësaj rruge e cila pritet të përfundojë brenda 10 muajsh, parashikon edhe vendosjen e 25 shtyllave të ndriçimit, mbjelljen e 190 pemëve dhe zëvendësimin e mureve rrethues me kangjella. Kryebashkiaku Basha tha se vendosja e një standardi evropian në të gjithë Tiranën, është prioriteti i Bashkisë. Z. Basha ka preferuar të mos u përgjigjet akuzave të ardhura nga opozita, të cilët sipas kreut të Bashkisë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse evidentojnë dështimin e tyre në qeverisjen e Tiranës.“Projekti i së ardhmes është projekti i standardit evropian në çdo cep të Tiranës, pa asnjë humbje kohe me akuza të cilat qytetarët i bëjnë rëndom për atë çka nuk u bë por as humbje kohe për t’iu përgjigjur atyre që kanë evidentuar dështimin e tyre dhe tani duan të na e paraqesin si model për të ardhmen. Në këtë kuadër, u bëj thirrje të gjithë atyre që duan të kontribuojnë së bashku me Bashkinë e Tiranës, në krijimin e një qyteti të ri, jo vetëm sa u përket parametrave të zhvillimit urban, të munguara për kaq kohë por edhe sa u përket parametrave të infrastrukturës, të lënë akuzat dhe ndjenjën e fajit dhe t’i bashkohen përkrahjes së kësaj bashkie, së bashku me qytetarët e Tiranës, të cilët janë bashkautorë të këtij buxheti, të mbështesin këtë kantier gjigand, që sot shtrihet nga jugu në veri të kryeqytetit, nga lindja në perëndim të qytetit, t’i bashkëngjiten përpjekjes sonë për një Tiranë moderne dhe evropiane, e cila bëhet me këto investime konkrete dhe jo me llafe e pishmane të së kaluarës” - theksoi Basha.Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur sot, se ka marrë mbështetjen e Abu- Dhabit, për financimin e projektit të rehabilitimit të lumit të Tiranës i cili kalon nëpër këtë zonë.