Qeveria legalizon 1247 objekte informale
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një sërë vendimesh të rëndësishme ku përfshihen legalizimi i 1247 objekteve informale, rritja e kuotës së anëtarësimit të Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar si dhe përcaktimi i autoritetit kontraktues për dhëniesn me koncesion të tre hidrocentraleve: “Vëndresh”, “Bigas dhe Veleshnje”, “Priska 1, 2”.Në faqen zyrtare të kryeministrisë thuhet se Këshilli i Ministrave miratoi disa vendimeve që lidhen me kalimin në pronësi të poseduesve të objekteve informate të disa parcelave ndërtimore, si dhe shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.“U miratua vendimi për kalimin e 1247 parcelave ndërtimore në pronësi të poseduesve të objekteve informale. Vendimi përfshin legalizimin e objekteve informale të ngritura në troje, si dhe shtesa (anësore) informale në ndërtime me leje. U miratua vendimi për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Ky vendim përcakton shpërblimin e pronarëve të ligjshëm, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale, të kualifikuara për legalizim në qarqet Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan, Berat dhe Tiranë, me sipërfaqe prej 8687 m2 truall, me vlerë të përgjithshme 103 796 372 lekë. Vlera e shpërblimit të pronarëve të ligjshëm është përcaktuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” thuhet në faqen e kryeministrisë.Gjithashtu, Këshilli i Ministrave ka miratuar sot edhe rritjen e kuotës së anëtarësimit të Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Me propozim të ministrit të Financave, kuota e Shqipërisë pranë FMN-së, nga niveli aktual prej 60 milionë SDR do të jetë 139.3 milionë SDR.Gjithashtu një tjetër vendim i rëndësishëm i marrë nga qeveria është edhe përcaktimi i autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të tre hidrocentraleve: “Vëndresh”, “Bigas dhe Veleshnje”, “Priska 1, 2”.Kryeministri Berisha, duke prezantuar këto vendime, u shpreh se shfrytëzimi i kapaciteteve dhe rritja e tyre për prodhimin e energjisë së rinovueshme mbetet prioritet i qeverisë dhe me vendimet që qeveria ka ndërmarrë, projekti për ta shndërruar Shqipërinë një superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme po rritet çdo ditë e më shumë.Edhe këto vendime janë pjesë e vendimeve dhe masave të tjera të ndërmarra nga qeveria në kuadër të iniciativës projektit për ta shndërruar Shqipërisë në një superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon.