Situata në Preshevë, Komisioni i Jashtëm: Shqiptarët të tregojnë maturi

Komisioni për politikën e Jashtme i Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme lidhur me zhvillimet e fundit shqetësuese në luginën e Preshevës, Medvegjë dhe Bujanovc.Në një deklaratë për shtyp, Komisioni thekson se po ndjek me shqetësim përkeqësimin në vijueshmëri të situatës atje dhe i bën thirrje popullsisë shqiptare të atjeshme të tregojë maturi përkundrejt situatës së krijuar dhe të mos bjerë pre e provokimeve të palës serbe.Njëkohësisht komisioni i bën thirrje palës serbë të zgjidhë nën frymën e dialogut me autoritetet shqiptare të atjeshme problemet që kanë dalë së fundmi.Megjithatë, Komisioni shton se vëren me shqetësim shtimin e frymës millosheviçiane në qarqe të caktuara serbe, deklaratat dhe veprimet e së cilës kanë nxitur reagimin e palës shqiptare.Njëkohësisht komisioni i jashtëm nënvizon se situata në rajon nuk është produkt vetëm i qëndrimit të ndryshëm lidhur me çështjen e monumenteve, por ajo duhet parë nën këndvështrimin e problemeve më të hershme të këtij rajoni, që kanë të bëjnë me zhvillimin e pakët ekonomik dhe praninëe shtuar të xhandarmerisë serbe në rajon.Edhe njëherë, Komisioni përsërit nevojën e trajtimit të problemit me gjakftohtësi, në kuadër të respektimit të konventave ndërkombëtare si edhe Kartës së Autoriteteve Vendore të Këshillit të Europës.Komisioni deklaron se do të ndjekë në vijimësi evolucionin e situatës, dhe në bashkëpunim me MPJ, do të punojë në frymë konstruktive për zgjidhjen e saj, e cila, nëse lejohet të përshkallezohet, mund të bëhet shkas për një destabilizim të përgjithshëm të rajonit, duke venë kështu në diskutim gjithçka të arritur deri tani.