Fier, plazhi i Semanit me roje bregdetare, pushuesit ankohen për mushkonjat dhe mbeturinat
Fier - Sezoni veror në zonat bredgetare të Fierit këtë vit është shoqëruar sërish me përmirësime dhe problematika. Në plazhin e Semanit si një nga më të populluarit, për herë të parë u vu re prania e rojeve bredgetare dhe marrja e masave te sigurisë për të shmangur incidente të ndryshme, përmes patrullimeve të policisë dhe pranisë së policisë kufitare.Vetëm në këtë sezon janë shpetuar nga mbytja 4 pushues. Edhe këtë vit linte për të dëshiruar infrastruktura rrugore që të çon drejt bregdetit. I shumëpërfolur ka qënë dhe dezifektimi i zonave bredgetare. Me përjashtim të plazhit të Divjakës, në vijën tjetër bregdetare të plazhit nuk është realizuar asnjë dezifektim.Pushuesit janë ankuar në lidhje me praninë e mushkonjave në orët e para të mëngjesit, ndërsa bizneset private bënin vet dezifektimin e zonës, për të mos larguar pushuesit. Nëse do të ndalemi te mbeturinat, prania e tyre nuk mungon në pjesën publike të plazhit dhe kjo për shkak të neglizhencës dhe etikës së qytetarëve ndaj mjedisit.Gjate fluksit më të madh të pushuesve komuna Topojë-Seman mori masa në largimin e tyre në ditë të caktuara, perveç aksioneve të shumta që janë ndërmarrë në pastrimin e 8 km vijë bregdetare të plazhit të Semanit. Këtë vit numri i pushuesve arriti në 20 mijë, shifër jo më e ulët se një vit më parë.Shkaqet janë të shumta, duke filluar nga paqëndrueshmëria e motit, muaji i Ramazanit, por edhe gjëndja ekonomike dhe numri i lartë i papunësisë së familjeve të Fierit, ndikuan ndjeshëm në të ardhurat e përfituara këtë vit nga sezoni veror. Gjithsesi me gjithë përmirësimet dhe problemet që e shoqërojnë këtë sezon, Semani mbeti destinacioni i të gjithë pushuesve fierakë, për shkak të shpenzimeve të ulta dhe afërsisë së tij me qytetin e Fierit.