Veliaj: Bursa për nxënësit që do të ndjekin shkollat e mesme bujqësore
Tiranë – Qeveria shqiptare do t’i akordojë bursa, nxënësve që do të studiojnë në shkollat e mesme profesionale për bujqësi dhe blegtori. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj, nga shkolla e mesme bujqësore “Rakip Kryeziu” në Fier.“Dhënia e bursës nënkupton mbulimin e të gjitha shpenzimeve rezidenciale, ushqimin dhe fjetjen, çka do t’u lejonte shumë të rinjve nga zonat rurale, të cilët duan të arsimohen në këtë shkollë model të Qarkut të Fierit, të kenë mundësi ta bëjnë këtë pa asnjë kosto shtesë për prindërit, por përkundrazi duke marrë një bursë të plotë për ta kthyer investimin e tyre në shkollë, në ferma apo biznese që ne presim të hapen në bujqësi e blegtori”, deklaroi ministri Veliaj.Nesër më 1 shtator, në të gjitha shkollat profesionale të vendit do të fillojnë regjistrimet, ndaj Veliaj përfitoi nga rasti për të bërë një ftesë të posaçme për nxënësit e Myzeqesë: “Dua t’i ftoj të rinjtë e zonës së Myzeqesë që të investojnë në këto dy fusha, të cilat nuk i kanë zhgënjyer asnjëherë të parët tanë, - tha ai. - Shumë investitorë të huaj po kërkojnë të përdorin tokat dhe klimën në Shqipëri, por nuk gjejnë staf të kualifikuar as në bujqësi, e as në blegtori”, nënvizoi ai.Shkolla e mesme bujqësore "Rakip Kryeziu" në Fier, u jep mundësi nxënësve të marrin një arsimim profesional dhe njëkohësisht jep njohuri dhe aftësi praktike që i nevojiten një fermeri, veterineri dhe tekniku të mesëm.ar.sh/Oranews.tv