Nuk deklaruan pasurinë, 100 mijë lekë gjobë Fatos Klosin e 5 zyrtarë të tjerë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka gjobitur me 100 mijë lekë 6 zyrtarë, për mosdeklarim të pasurive.Sipas njoftimit të ILDKP mes personave të cilët nuk kanë deklaruar pasurinë janë edhe Fatos Klosi, ish-kreu i SHIK, aktualisht Kryetar i Agjencisë kombëtare Bërthamore dhe Vangjel Ndreka, Kryetar i Këshillit të Qarkut Fier.Po ashtu në listën e zyrtarëve të gjobitur janë edhe 3 kryetarë komunash.Në lidhje me masën administrative të zbatuar ndaj secilit subjekt, Inspektorati i Lartë ka njoftuar zyrtarin, subjekt deklarimi dhe institucionet eprore për marrjen e masave administrative ndaj tyre.Sipas Inspektoriatit në rast se subjektet deklaruese refuzojnë të dorëzojnë deklaratën e interesave pas marrjes së masës administrative do të vijojë me ndjekjen e çdo rasti për të cilin u aplikua masa administrative gjobë, deri në paraqitjen e kallëzimit penal pranë organit të akuzës.Personat e gjobitur për mosdeklarim të pasurisë- Fatos Klosi, Kryetar i Agjensisë Kombëtare Bërthamore, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Tiranë, nuk ka dorezuar në ILDKPKI, dokumentin zyrtar “Deklaratë e Interesave Private Para Fillimit të Detyrës” dhe “Deklaratën e Interesave Private Periodike/Vjetore 2013”- Anesti Dhimojani, Ish Kryetar i Këshillit të Qarkut Vlorë, nuk ka dorëzuar në ILDKPKI, dokumentin zyrtar deklaratë e interesave private “Periodik vjetor, 2011, 2012, 2013″ dhe “‘Pas largimit nga funksioni 2014″.- Vangjel Ndreka, Kryetar i Këshillit të Qarkut Fier, nuk ka dorëzuar në ILDKPKI, dokumentin zyrtar, deklaratë e interesave private “Periodik vjetor 2013“.- Hamdi Pasha, Kryetar Komune Kodër Thumanë, Krujë, Qarku Durrës, i zgjedhur në këtë funksion me datë 23.07.2013, nuk ka dorëzuar dokumentin zyrtar “Deklaratë e Interesave Private Para Fillimit të Detyrës”; dhe “Deklaratën e Interesave Private Periodike/Vjetore” për vitin 2013.- Viktor Popaj, Kryetar i Komunës Kastrat, Qarku Shkodër, i zgjedhur në këtë funksion me datë 08.05.2011, rezulton të mos ketë dorëzuar brenda afateve ligjore “Deklaratën Para Fillimit të Detyrës”. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të viteve të kaluara rezulton që subjekti deklarues nuk ka dorëzuar “Deklaratën e Interesave Periodike/Vjetore” për vitet 2011, 2012 dhe 2013.- Lek Bibaj, Kryetar i Komunës Hajmel, Qarku Shkodër, i zgjedhur në këtë funksion me datë 08.05.2011, rezulton të mos ketë dorëzuar brenda afateve ligjore “Deklaratën Para Fillimit të Detyrës”, shkelje për të cilën subjekti është gjobitur dhe kallëzuar penalisht. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të viteve të kaluara rezulton që subjekti deklarues nuk ka dorëzuar “Deklaratën e Interesave Periodike/Vjetore” për vitet 2011, 2012 dhe 2013.