Ballkani në axhendën e rëndësishme të BE-së dhe në mënyrë specifike të Gjermanisë

Në një intervistë të dhënë për  Radio-Televizionin ORA NEWS, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Gëzim Podgorica u shpreh  se samiti i Berlinit shënon një fazë të re, cilësisht mjaft pozitive të marrëdhënieve të Ballkanit Perëndimor me BE dhe specifikisht me Gjermaninë, po edhe Francën dhe Austrinë. Sigurisht që Ballkani asnjëherë nuk ka dalë nga axhenda evropiane, ose të ketë qenë në periferi të saj, por kohët e fundit, e posaçërisht samiti i djeshëm e kanë kthyer në axhendën e sipërme me një vëmendje maksimale. Kjo vëmendje është një shans i ri për këtë rajon, i cili e ka lënë pas historinë e tij të trazuar dhe është i mirëkuptuar për të shikuar drejt së ardhmes me optimizëm dhe  me një  mbështetje  shumë dimensionale që nuk e ka pasur asnjëherë më parë. Duhet theksuar se ajo që krijon siguri në realizimin e gjithçka çfarë u arrit ose u dakordësuan ditën e djeshme,   është edhe fakti që gjithë këtë proces e udhëheq Gjermania, fuqia  politike dhe ekonomike e së cilës luan një rol mjaft përcaktues jo vetëm në zhvillimet në kontinentin tonë, por  shumë më gjerë, në aspektin global. Ky është rasti gjithashtu për t’i dhënë  një përgjigje gjithë atyre që kanë shfaqur rezerva  se Gjermania është skeptike lidhur me  zgjerimin e BE-së . Gjithçka u arrit të afishohej dje,  është e kundërta e asaj që mund të jetë parë me rezervë deri tani.  Gjermania  ka rolin e liderit  me një përgjegjësi që vetëm ata dinë ta bëjnë aq mirë. Këmbëngulja dhe rigoroziteti gjerman besoj do ta vënë në pozita më të përgjegjshme gjithë rajonin për të plotësuar objektivat e përcaktuara dhe standardet që kërkohen për integrimin në BE .

Samiti  evidentoi edhe faktin  se Ballkani perëndimor jo vetëm është pjesë e një axhendë shumë të rëndësishme , por për të pasur një  ritëm  tjetër të hapave drejt integrimit, mbështetja nuk do të jetë  jo vetëm politike, por edhe ekonomike.  Në një moment kur bota ka disa vatra krizash mjaft të nxehta dhe me një rezonancë  dhe impakt global ,  pikërisht  në këtë moment  sytë e Evropës kthehen në mënyrë shumë serioze nga Ballkani, pavarësisht se ai tashmë është një rajon i qetë dhe i është kthyer mirëkuptimit dhe  kompromiseve. Normalisht, ka mjaft  kompromise të munguara që u  nënvizuan  edhe  në samit, por fakti është se tani kemi nje Ballkan tjetër , mirëkuptues dhe bashkëpunues mes vetes, me një axhendë që ka  frymë europianiste dhe me marrëveshje dypalëshe që  po prekin të gjitha fushat.

Ajo që kryeministri Rama potencoi në konferencën e shtypit, për një Ballkan që si kurrë më parë është larg tensioneve dhe  në  mirëkuptim  shumë të gjerë,  pjesë e së cilës interpretohet edhe ftesa e Kryeministrit të Serbisë dhe përgjigja pozitive e Shqipërisë  për të qenë në Beograd me 22 tetor, tregojnë se  qasja  e re është prezente në Shqipëri,  Kosovë, Serbi, Mal të Zi e gjetkë. Si argument shtesë në këtë rast mund të përmendim edhe faktin se  Kosova dhe Serbia u dakorduan për t’i dhënë një hop të ri cilësor bisedimeve dhe marrëveshjeve në mes tyre. Ballkani pra është me  një pamje tjetër, drejt rrugëtimit europian.

Sigurisht që  jo vetëm vendet tona aspirante ose anëtare të BE-së, por  edhe ata që na mbështesin e dimë fort mirë se rruga  është e gjatë, e vështirë, por më e duhura.

Pritshmëritë pas  samitit janë të mëdha. Sot  në fakt po flitet  shumë për projekte që do të kenë një impakt  mjaft zhvillues për rajonin, aq më tepër që nuk kemi të bëjmë me projekte   të ndara, por  projekte  të  ndërlidhen me njeri-tjetrin dhe që kërkohet kontribut i përbashkët.  Siguria për realizimin e tyre është shumë e lartë,  dhe është e kuptueshme një gjë e tillë, kur kemi parasysh faktin se në të  gjithë  hapat që pasojnë, pas këtyre projekteve  qëndron Gjermania.

Kjo është një garanci e shtuar dhe optimiste, por në anën tjetër    vendet përfituese janë përballë detyrimesh  mjaft të mëdha ndaj  shtetit  serioz gjerman i cili ka marrë përsipër të  jetë në krye të këtij procesi.  Projektet e infrasturkturës, sigurimi i energjisë, mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, financimi dhe edukimi i kapitalit njerëzor dhe projektet turistike  janë pjesë  rajonale dhe ku secili shtet do të  ketë përfitimin, por edhe përgjegjësinë shumëplanëshe të tij.

Ballkani është futur në shinat e reja të zhvillimit  dhe përafrimit me vendet e BE-së.  Shpejtësia me të cilën do të ecë varet nga  vetë rajoni, nga të kuptuarit ndryshe të proceseve, nga investimi i përbashkët,  por edhe nga  një qasje tjetër  ndaj demokracisë.  Vendet  në bashkëpunim me njeri-tjetrin, por edhe brenda tyre kanë  detyra të tjera  mjaft specifike që normalisht do t’i detajojnë   në mënyrë të mëvetshme dhe  do të investohen për t’i realizuar.

Tani ka filluar një proces  i ri pune për katër vitet e ardhshme, proces që kërkon një angazhim tjetër për përmbushjen e projekteve dhe  të klimës së re politike, një proces që  entuziazmit të këtyre ditëve, duhet t’i zërë vendin domosdoshmërisht puna e detajuar dhe konkrete, bashkëpunuese dhe cilësisht e re  në të gjithë dimensionin e saj.

Mendoj se Shqipëria po afishon çdo ditë e më shumë një politikë europianizuese si në  menaxhimin e përgjegjësive që ka pas marrjes së vendit kandidat për në BE, ashtu edhe  në raportet me vendet që e mbështesin, në mënyrë të posaçme me Gjermaninë, po edhe vende të tjera anëtare të BE-së. Partneriteti strategjik me Gjermaninë nuk mendoj së është retorikë, por pjesë e një platformë nga ku politika shqiptare e ka qartësuar pozicionin nga duhet të ecë në të ardhmen, të paktën  për të mos humbur më kohë, pasi  jemi ndërgjegjësuar pothuaj të gjithë së çfarë kemi humbur./ATA