Krasniqi: Më 21 janar politika dështoi dhe qytetarët u ndëshkuan.

Dy vjet pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit 2011, Fryma e Re Demokratike deklaron se kjo ditë mbetet në memorien tonë shtetërore e publike, si një datë e dhimbshme dhe tragjike, një simbol i denigrimit të politikës së arsyeshme dhe i konfliktit të ashpër dhe pa sens midis dy partive të vjetra politike.Në një deklaratë për mediat, sekretari politik i FRD-së, Afrim Krasniqi theksoi se  21 janari është simbol i denigrimit të politikës dhe i konfliktit pa sens midis dy partive të vjetra politike."Sot për këdo është e qartë se më 21 janar dolën në pah dy elementë thelbësore: strategjia e sjelljes jashtë-institucionale dhe e përplasjes civile e ndjekur nga ana e opozitës, si dhe paralelisht, strategjia e përgjigjes antidemokratike, me mjetet vrasëse, nga segmentet më të dhunshme dhe militante të qeverisë.  Më 21 janar politika dështoi dhe qytetarët u ndëshkuan. Katër qytetarë të pafajshëm mbetën të vrarë nga njerëz me uniformë që me ligj do të duhej të mbronin jetën e qytetarëve. Çdo përpjekje politike për ta përdorur këtë ngjarje tragjike si ditë triumfi, mbetet e dështuar dhe e thellon akoma më tej sjelljen e papërgjegjshme politike të atyre që e krijuan atë” theksoi Krasniqi.Gjithashtu FRD nxit organet përgjegjëse që të gjithë personat përgjegjës në këtë ngjarje të rëndë të dalin pa vonesë përpara drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. “Pa drejtësi të besueshme dhe ndëshkim të merituar ligjor, Shqipëria do të vazhdojë të mbajë të hapura plagët e 21 janarit dhe të jetë në borxh të madh ndaj atyre që humbën jetën ose u plagosën atë ditë. Me ketë rast, FRD rikujton sesa absurde, antiligjore dhe antidemokratike ishte investimi politik i Kryeministrit dhe i parlamentit në përpjekje të dëshpëruara për të shpërndarë përgjegjësinë e tyre të 21 janarit tek institucionet e larta kushtetuese” shtoi Krasniqi.FRD gjithashtu u ka bërë apel të gjithë qytetarëve, forcave politike, institucioneve dhe medias, që në këtë dy vjetor të reflektojnë për një raport të ri me të vërtetën dhe parimet e demokracisë, për respekt të institucioneve dhe të drejtësisë, për më shumë dialog, bashkëpunim dhe vullnet politik në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike si dhe problemeve madhore me të cilat përballet vendi, për më shumë punë e investim në forcimin e kulturës së ligjit, kulturës demokratike dhe frymës evropiane të Shqipërisë.