Elbasani nën pushtetin e mbeturinave, Ambientalistët: Situata alarmante

Elbasan- Ndotja nga mbeturinat dhe diegia e plehrave në natyrë në qytetin e  Elbasanit është kthyer në një shqetësim madhor për qytetarët. Në pikun e vapës ata janë të detyruar që të mbajnë çdo gjë mbyllur që të mos depertojë era e keqe dhe tymi që çliron djegia e mbeturinave.Ndërkohë, kryetari i bashkisë, Elbasan, Qazim Sejdini,  deklaroi se brenda tetorit do të merren masa dhe Elbasani do çlirohet nga ndotja.“Brenda muajit tetor të kemi një zgjidhje përfundimtare të kësaj pune, kjo është zgjidhja e fundit që mund t’i jepet dhe shpresa e vetme që ka Elbasani për të shpëtuar nga ky makth dhe nga e keqja që i vjen qytetit çdo ditë”, tha ai .Sakaq, kryetari i klubit ekologjik Ahmet Mehmeti shprehet se fusha e plehrave mund të kthehet në burim  sëmundje për jetën e banorëve, kryesisht atyre të varfër, të cilët shkojnë me shpresën për të gjetur diçka."Këtu vijnë njerëz hallexhinj, skllevërit e kohës sonë, të cilët marrin atë çka mund të marrin në këtë tmerr të vërtetë, për të mbijetuar, për të bërë diçka për jetën. Kjo është për të vënë duart në kokë. Këtu nuk bëhet asnjë veprim, këtu është në mëshirë të fatit, digjen mbeturinat, futen njerëzit dhe kafshët dhe nuk merret vesh se çfarë po bëhet. Kjo fushë që ndodhet kaq afër qendrave të banuara, lagjeve,të bën të mendosh se çfarë do bëhet me këta njerëz. Iku qershori, korriku, gushit, po ikin vite, jeta e njerezve dhe këtu nuk po vihet dorë,"tha ai.Djegia e mbeturinave çliron dioksinat dhe foronet që jane substanca kancerogjene për njeriun. Ato veprojnë mbi të gjitha organet nga lekura në mushkëri, tek gjaku në sistemin nervor duke ndikuar dhe në inteligjencën tek fëmijët.Fusha e plehrave ka 60 vjet që vazhdon të depozitojë mbetjet urbane në periferi ku tre lagjet jugore të Elbasanit janë të detyruar të jetojnë 24 orë nën mbretërinë ndotëse të djegies së plehrave.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter