Pedofilia, "molla" e sherrit, një shans i keq për viktimën e radhës

Nuk po ndalem për të shpjeguar në termat shkencor dhe profesional se ç’është pedofilia dhe si klasifikohet ajo nga Organizata Botërore e Shëndetit.Tashmë, pedofilia është e listuar në sëmundjen e sjelljeve seksuale, pasi siç dihet, është një patologji psikiatrike që bën pjesë tek parafilitë dhe nuk përjashton asnjë moshë apo grupmoshe, asnjë individ apo grup individësh shoqëror, kategori sociale, fetare ose politike. Kjo patologji psikiatrike ka të bëjë me shqetësime që sjellin tërheqje për anomali të objekteve të animuara që në rastin konkret janë edhe fëmijët.Individët që e manifestojnë këtë sjellje nuk konsiderohen si njerëz me ç’rregullime mendore, ngase natyra e tyre nuk ka lidhje me gjenet, as me kromozonet dhe hormonet. Ndaj për këtë arsye, individët që manifestojnë sjellje të pedofilisë, janë dhe duhet të jenë objekt i ndëshkimeve penale.Ngjarja e ndodhur ditët e fundit në qytetin e Sarandës mbi skandalin e një videoje në fokus të së cilës ka qenë tentativa e abuzimit seksual mbi një të mitur jetime 14 vjeçare, të pambrojtur dhe të pafajshme nga një manjak pedofil 63 vjeçar, veç përmasave tronditëse e rrëqethëse që u përcollën në mënyrë profesionale përmes mediave vizive dhe shtypit të shkruar, u shoqërua edhe përmes një fjalori patetik nga foltoret e zëdhënësve politik (që në fakt është një debat pa vend), i shndërruar si zakonisht si një debat i nxehtë përtej mungesës totale të etikës, komunikimit dhe dialogut konstruktiv, në një betejë të shfrenuar akuzash dhe kundërakuzash mes pozitës dhe opozitës.Nga ana tjetër, e përfshirë si palë e tretë në këtë debat publik është edhe reagimi qytetar, përmes rrjetit social “Facebook” e “Twitter”, nga i cili, nuk mund të mos binte në sy revolta e një zemërimi legjitim mbarëpopullor që përcjellin ngjarje të tilla të shëmtuara, të cilat duhet të na ndërgjegjësojnë për një sensibilizim dhe reflektim kolektiv, me synimin për t’i bërë ballë kësaj të keqe të madhe, përpara se ajo të marrë përmasa të frikshme dhe kërcënuese për mbarë shoqërinë.Zhurma dhe përpjekja për të politizuar sjellje të tilla perverse, mendoj se largon nga vëmendja e të gjitha institucioneve, medias dhe aktorëve të shoqërisë thelbin dhe rëndësinë e problemit, që ka të bëjë me shkaqet e vërteta që i sjellin aq pranë nesh këto ngjarje vanitoze, sa çdokush nga ne është i rrezikuar për të qenë viktimë në ditën e nesërme, nëse sot nuk analizojmë seriozisht dhe të kërkojmë burimin e këtyre pasojave.Në fakt, ngjarje të tilla, pikësëpari kërkojnë një analizë serioze dhe të thellë nga ekspertë të sociologjisë dhe psikologjisë, specialistë e profesionistë multidisiplinarë të fushave të ndryshme në veçanti, pse jo dhe nga politologë e akademikë, për të kërkuar dhe gjetur shkaqet e vërteta të këtij fenomeni që për fat të keq sot, nuk është një rast i izoluar, por një dukuri permanente e dukshme dhe e padukshme, shumë serioze dhe kërcënuese në kontekstin shqiptar, e shtrirë në formë kapilare, që cënon rëndë mjedisin tonë shoqëror dhe që në fakt, lëkund në mënyrë të frikshme ekuilibrat psiko - social në mjedisin ku jetojmë.Por le të kthehemi tek ngjarja që ka tronditur kohët e fundit mbarë opinionin publik.Jemi përballë një rasti flagrant ku një zyrtar, zëdhënës i një deputeti, (nën petkun e pushtetit që zotëron), në këmbim të një vendi pune për një nënë fatkeqe që rrit e vetme 4 fëmijë jetimë, e sorollat dhe e mundon gruan e gjorë që prej 7 muajsh dhe i kërkon kësaj të fundit favore për të kryer marëdhënie seksuale. Skandali thellohet edhe më tej. Ky zyrtar, insiston të vërë në dorë edhe të bijën e kësaj hallexheshe, që është një e mitur jetime, vetëm 14 vjeçe.E gjitha kjo histori tashmë është e dokumentuar në një kasetë videoregjistrimi prej 7 minutash ku del sheshit në skenë ky skandal i turpshëm që na ka shokuar të gjithëve pa dyshim. Gazetari investigativ, Telnis Skuqi, (dikur në fëmijërinë e tij i rritur jetim në shtëpinë e fëmijës në Sarandë), me kurajon civile e profesionale, solli në publik një pjesë të infektuar nga autopsia e shoqërisë sonë të sëmurë. Media e bëri punën e saj, e investigoi dhe e publikoi me vërtetësi dhe profesionalizëm të lartë si asnjëherë tjetër të gjithë këtë ngjarje të shëmtuar, duke sfiduar edhe organet që e kanë për detyrë të hetojnë dhe zbulojnë ngjarje të tilla. Mjafton vetëm kaq. Tani e ka radhën drejtësia që të flasë. Fajtori, sipas ligjit duhet të gjykohet dhe të marrë ndëshkimin e merituar për veprën e rëndë penale që ka konsumuar.Mirëpo ç’ndodh!? E gjithë kjo ngjarje u përpi si magnet dhe është përfshirë në megalaboratorin e propagandës zhurmuese të politikës konfliktuale të ditës, duke e instrumentalizuar dhe manipuluar në mënyrën të shëmtuar jo për sensibilitetin e lartë dhe rëndësinë që ka në vetvete, por vetëm e vetëm për interesa meskine dhe të ngushta politike. Nisur nga fakti se manjaku pedofil 63 vjeçar qëlloi dhe u zbulua nga zyra e një deputeti socialist, (personalisht, për hir të së vërtetës, nuk kam ndonjë konsideratë për deputetin në fjalë), duhej me çdo kusht që për këtë arsye, ky krim të mos i faturohet i gjithi autorit që e ka kryer, por forcës politike të cilës i shërben ky pervers. Pra, kjo do të thotë se duhet të demaskohet dhe të kryqëzohet pushteti që nuk drejtohet sot nga opozita.Të politizosh situata dhe çështje të tilla kaq vulgare, kaq ordinere dhe kriminale siç është edhe ngjarja e fundit e pedofilsë në Sarandë, që në fund të fundit ka përgjegjës një dhe vetëm një individ me emër, me zë dhe me figurë, të parë dhe dëgjuar botërisht nga të gjithë, më duket përveçse një infantilitet politik, papërgjegjshmëri dhe histeri kolektive bizantine, por nga ana tjetër, edhe një pedofili politike. Ndoshta dhe më shumë se kaq…Në gjithë historinë e njerëzimit, ka patur, ka dhe do të ketë njerëz me devijanca e sjellje kontraversiale, që shkojnë kundër rrymës dhe normave të sjelljes, zakoneve, regullave shoqërore e morale të një shoqërie. Ata janë pjesë e pashmangshme në mjedisin ku jetojmë. Kudo në botë, perversët, manjakët, pedofilët, e ku ta di unë se ç’farë, janë individë të ndryshëm nga shumica normale e shoqërisë njerëzore.Në dukje, ata janë njerëz të zakonshëm, me sjellje normale, dhe pikërisht këtu qëndron vështirësia për t’i indetifikuar, distancuar, izoluar dhe trajtuar. Njerëz të tillë, nuk përfaqësojnë asgjë veç vetvetes, nuk kanë kauza dhe as ideale humane, nuk kanë dallime politike e partiake, nuk kanë as dallim bindjesh besimi fetar, kulture, formimi e prejardhjeje shoqërore, sepse ata i gjen ngado dhe kudo, në jetën komunitare, në qytet dhe në fshat, në familje, në qendra rezidenciale, në çdo parti, në çdo shoqatë, në kumunitete fetare, në çdo institucion publik dhe jo publik, në çdo administratë, deri në hierarkitë më të larta të shtetit dhe pushtetit, kudo në mbarë botën.Është e njohur dhe tepër tronditëse deklarata e Papa Françeskut në një intervistë dhënë së përditshmes italiane “La Republica”, në të cilën pohon se: “Ashtu si Jezui, unë do të përdor një shkop kundër priftërijnve pedofilë”, duke patur parasysh 8.000 priftërinjë katolikë të përfshirë në aktet e pedofilisë, ose më saktë 2 % të të gjithë priftërinjve nga 414.000 priftërinjë katolikë që ndodhen në të gjithë globin. Në mesin e 8 mijë priftërinjve pedofilë që ka cituar Papa, përfshihen priftërinj, peshkopë dhe kardinalë. Sipas Papës, abuzimi me fëmijët është kthyer në një “lebër” që po infekton Kishën, duke u zotuar të përballet me ashpërsinë që meriton rasti në fjalë.Po ti referohemi një rasti të ngjashëm si kjo e ditëve të fundit, e ndodhur në vitin 2006 me shtetasin e huaj anglez David Brown, i cili ushtronte veprimtarinë e tij “bamirëse” në qendrën “Fëmijët e tij” në Tiranë, ku rriteshin dhe trajtoheshin afro 15 fëmijë jetimë, do të kuptojmë se përmasat e abuzimit seksual me këta fëmijë nga ky pedofil ishin shumë herë edhe më të mëdha, nga ngjarja e ndodhur në Sarandë, e rrjedhimisht, pasojat ishin edhe më të rënda për këta fëmijë, pasi nuk ishim përballë një tentative abuzimi dhe shfrytëzimi seksual, por ishim përballë një fakti dhe krimi të kryer nga ky pedofil me të miturit jetimë. Të gjithë fëmijët e qendrës ishin të abuzuar.Sigurisht, ngjarja pati një sensibilitet dhe jehonë të lartë në shtypin e shkruar dhe në median vizive. Nuk mungoi as reagimi i shoqërisë civile me protesta të shumta për të ndërgjegjësuar institucionet dhe drejtësinë. Rezultati ishte frytdhënës. Gjykata foli qartë dhe pa asnjë ekuivok. Pedofili David Brown u gjykua dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie nga drejtësia shqiptare.Në atë kohë, të vetmit që u treguan indiferentë, të painteresuar, aspak të ndjeshëm për këtë çështje që përbënte megaskandalin më të madh të abuzimit seksual me të miturit e pambrojtur jetimë në vendin tonë, ishte politika. Pikërisht ajo politikë që sot na shurdhon dhe po na çorrodit në këto ditë të nxehta të verës me fjalimet patetike, akuzave dhe kundërakuza përmes foltoreve dhe ekraneve televizive duke e larguar gjithmonë edhe më shumë vëmendjen e opinionit publik nga thelbi dhe rëndësia që ka ngjarja.Në rastin pedofilit anglez David Brown, politikës së sotme dhe asaj të djeshme nuk i interesonte kjo histori, ngase skandali i orgjisë nuk doli nga zyrat e ndonjë force kundërshtare politike edhe pse përmasat e dramës njerëzore që shkaktoi kjo ngjarje ishin aq të mëdha, sa që edhe sot e kësaj dite kanë lënë pasoja të parikuperushme tek ata ish – fëmijë jetimë, viktima të pedofilisë, por edhe të mungesës së vëmendjes e mbrojtjes nga strukturat shtetërore përgjegjëse. Pra nuk pati asnjë konflikt politik. Mos duhet vallë që pedofilët të jenë të huaj dhe jo nga radhët e forcave politike që të mos kemi sherre mes partive..!? Ja sa poshtë ka rënë e tërë klasa jonë politike.Këtu qëndron hipokrizia dhe demagogjia, një e keqe e madhe e politikës sonë. Ajo për interesa të ngushta të pushtetit, përveçse tallet dhe luan në mënyrë vrastare me dramën e njerëzve në nevojë që ajo vetë i ka viktimizuar, shpesh herë tregohet e ftohtë dhe arrogante, e pamoralshme dhe antihumane, madje edhe cinike...Të rrezikuar gjithmonë kanë qënë, janë dhe do të jenë fëmijët jetimë, siç kemi edhe rastin në hetim të pedofilit 53 vjeçar i identifikuar me inicialet M.L, kryetar i një “pseudo - shoqate” fantazmë për jetimët, duke rrezikuar dhe viktimizuar një adoleshent jetim, të cilit në këmbim të një ndihme që duhet t’i japë për shkollim e tij, i kërkonte favore seksuale.Skandali i pedofilisë në qytetin e Sarandës tashmë ështe kthyer në një “mollë” sherri politik, si një ogur i keq për viktimën e radhës… Ngjarje të tilla ka gjasa të ndodhin sërish, për sa kohë do të kemi një politikë konfliktuale që për interesa të ngushta të saj nuk mendon se si të përmirësoj jetën e qytetarëve të vet, se si të zhvilloj kapacitetet dhe të rrisë masat mbrojtëse e mbështetëse për familjet e rriskut, se si të hartoj dhe programoj mbështetjen sociale për fuqizimin e familjeve që kërkojnë mbrojtjen dhe mbështetjen nga shteti për të mos rënë në kurthin e radhës së manjakëve perversë, me ose pa pushtet…E nëse do të vazhdohet kështu, duke mos kthyer kursin e të bërit politikë konstruktive, atëherë fëmijët nuk do të jenë thjeshtë dhe vetëm gjahu i manjakëve seksualë ordinerë, por edhe viktima të përhershëm të kontigjentit të antikapatëve politikë pedofilë.*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.Ky shkrim është postuar në media por dhe në profilin zyrtar të Ilir Çumanit