Fondi për veriun bashkon Kosovën e Serbinë, zbardhen detaje nga marrëveshja
Janë zbardhur detaje të marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç në Bruksel për bashkimin e parave të Kosovës dhe ato të Serbisë në një fond të vetëm. Fondi, sipas mediave kosovare mësohet se fillimisht do të jetë rreth 16 milionë euro. Ai do të menaxhohet nga përfaqësues të BE-së, por informata për mirëmbajtjen e tij do të kenë të dyja qeveritë: edhe e Serbisë, edhe e Kosovës. Ndërsa përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të kenë të drejtë që të bëjnë kërkesa për investimet më me prioritet në atë pjesë të Kosovës.Krijimi i fondit do të shënojë edhe fillimin e bashkëpunimit të serbëve në veri me institucionet e Kosovës. Burime të gazetës, të afërta me takimin në Bruksel, kanë bërë të ditur se të dy kryeministrat janë marrë vesh për një plan se si do të zëvendësohen strukturat e sigurisë së Serbisë në veri, me struktura të serbëve lokalë që do të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Megjithatë, çështje të ndjeshme në raport me veriun, funksionimi i Gjykatës së Qarkut atje, si dhe funksionimi i policisë, është vendosur që të diskutohen në takimin e radhës që do të ndodhë nga mesi i shkurtit.Diskutime të gjata, sipas burimeve të gazetës, ka marrë çështja se çfarë territori duhet të mbulojë “fondi”. Sipas një zyrtari të lartë të Qeverisë së Kosovës, që ka folur në kushte anonimiteti, kryeministri Thaçi ka insistuar që Vushtrria, Skenderaj dhe pjesa jugore e Mitrovicës të jenë pjesë e fondit, që do të përfshinte në këtë mënyrë gjithë regjionin e Mitrovicës.