"21 Janari", Sequi: Të vihet në vend drejtësia
Në prag të 2-vjetorit të "21 Janarit", ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sequi shpreh shqetësimin se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar.Në një prononcim për mediat, ambasadori Sequi theksoi se hetimi duhet të përfundojë në kohë në mënyrë që të vihet në vend drejtësia."Me afrimin e ngjarjes mendimet tona shkojnë në radhë të parë tek familjet e atyre që humbën jetën. Në këtë ditë të trishtuar do të doja të shprehja ndjenjat më të thella të dhembshurisë për jetën e tyre. Por ky përvjetor gjithashtu na shtyn të jemi përballë faktit që hetimi ende nuk ka përfunduar. Në respekt të atyre që humbën jetën dhe në respekt të parimeve të shtetit ligjor ky proces duhet të përfundojë në kohë dhe në mënyrë të pavarur. Drejtësia duhet të vihet në vend" tha Sequi.Sipas tij, politikanët u detyrohen atyre që përfaqësojnë që të punojnë së bashku për një shtet ligjor më të fortë.“Vetëm duke treguar që e ka forcën për ta zbatuar plotësisht dhe në rrugën e duhur shtetin ligjor Shqipëria do ecë përpara në rrugën e integrimit në BE”- tha ambasadori.Deklarata e ambasadori të BE-së Ettore Sequi vjen pas deklaratave të ambasadorit të SHBA-së, Aleksandër Arvizu dhe atij të OSBE, Eugen Wollfarth për drejtësi për këtë proces.