2 vjet nga 21 janari, SHBA dhe OSBE ngushëllojnë familjarët: Drejtësi për 4 protestuesit e vrarë
Në përvjetorin e dytë të protestës opozitare të 21 janarit ku humbën jetën 4 demostrues, Ambasada e Shteteve të Bashkuara u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.Përmes një deklarate Ambasada e SHBA përsërtit edhe një herë apelin për zbardhjen e plotë të ngjarjes që i morën jetën Ziver Veizit, Aleks Nikës, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedës, që ajo i quan viktima të dhunës së paktuptimtë e të pafalshme. Në kohën kur në gjykatën e Tiranës është mbyllur shqyrtimi gjyqësor për ngjarjet e 21 janarit, përfaqësia diplomatike kërkon një proçes të besueshëm gjyqësor, të lirë prej ndërhyrjeve politike."Të gjithë ishin viktima të dhunës së pakuptimtë e të pafalshme. Tani më shumë se kurrë, ka nevojë për shpjegim të plotë të ngjarjeve të 21 janarit nëpërmjet një procesi të besueshëm gjyqësor, të lirë prej ndërhyrjeve politike. Në këtë ditë përkujtimi paqësor, iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë dhe institucioneve të qeverisë që të punojnë pa pushim për të frymëzuar popullin shqiptar që të besojnë në demokracinë e tyre duke forcuar sundimin e ligjit"thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.Po kështu edhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, nga Vjena, ku po merr pjesë në mbledhjen vjetore të kryetarëve të misioneve përsëriti thirrjen e tij për drejtësi në lidhje me vdekjen e protestuesve, në protestën e para dy vjetëve, në Tiranë."Në prag të përvjetorit të dytë të ngjarjeve të 21 Janarit 2011, u shpreh sërish ngushëllimet tona më të ndjera familjarëve të viktimave dhe të lënduarve. Ata meritojnë drejtësi, bazuar në një hetim të lirë, të pandikuar nga politika dhe një proces gjyqësor të besueshëm e të shpejtë", tha ai."Llogaridhënia dhe shteti i së drejtës janë elemente thelbësore të demokracisë dhe, si të tilla, janë parakushte për përparimin e mëtejshëm të aspiratave evropiane të Shqipërisë", shtoi Wollfarth.Ndërkaq, 21 janari do të rikthejë në shesh PS. Selia rozë ka vendosur të organizojë paraditen e 21 janarit një tubim përkujtimor për të nderuar 4 viktimat që humben jetën në protestën përpara Kryeministrisë, 2 vjet më parë.Tubimi do të nisë në orën 10.30 minuta, ku fillimisht kortezhi i njerëzve do mblidhet në selinë e PS-së, për të marshuar me tej në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e për të ndalur para Kryeministrisë.Veç familjarëve të 4 viktimave të 21 janarit Ziver Veizit, Aleks Nikës, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt , protestës do i bashkohen edhe krerë të partive opozitare.Homazhi po organizohet nga PS e Tiranës, e cila ka pergatitur një aktivitet në sallën e Akademisë së Arteve. Fillimisht është menduar të prezantohet një dokumentar për të nderuar 4 viktimat e më tej fjalën do ta ketë kreu i PS, Edi Rama.Ziver Veizi , Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj u vranë në protestën e opozitës në 21 janar 2011 dhe drejtësia ende nuk ka dënuar asnjë fajtor për vrasjen e tyre. Gjyqi për këtë cështje vazhdon ende në gjykatën e Tiranës.