Berisha: Fitore si në 22 Mars. Rama po mbledh rreth vetes fundërrinat
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kërkuar angazhimin maksimal të drejtuesve të bazës së PD-së, për të arritur një fitore në zgjedhjet e 23 Qershorit.Në një takim me të gjithë kryetarët e degëve të Partisë Demokratike dhe ato të Grup Seksioneve, kreu i PD-së theksoi se data 23 Qershor duhet të jetë një 22 Mars i vërtetë."Me projektet e sukesesshme të ndryshimit të Shqipërisë, me misionin e forcës politike që u themelua 22 vjet më parë, këto data të duken binjake në aspirata dhe arritje. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që në 23 Qershor të realizojmë fitoren që presin shqiptarët, fitoren e shkëlqyer të Partisë Demokratike si një forcë politike që në këto 22 vjet ka pasur dhe shënuar sukseset më të mëdha, transformimet më të thella, arritjet më historike se çdo forcë tjetër politike e themeluar pas rënies së perdes së hekurt në Europën post-komuniste” tha Berisha.Kreu i PD-së gjithashtu bëri një rezume të arritjeve që ka bërë vendi gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike."Kjo parti ka faktuar që ajo disponon të gjithë potencialin kombëtar të integrimit të vendit në familjen Euro-Atlantike. Në 22 vite nuk i kemi zënë rrugën askujt që të bëjë detyrat e veta në proçesin e integrimit, por historia është kjo. Është Partia Demokratike që antarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës, firmosi marrëveshjen e MSA-së pas marrëveshjes me tregëtinë, mori ftesën për antarësim dhe më pas antarësoi vendin në NATO, është Partia Demokratike ajo që bëri të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Europën. Është PD-ja ajo që realizoi ose bëri të vërteta këto ëndrra shekullore të Shqipërisë, sepse në vitet e pushtetit ajo ndërmorri reformat më të thella dhe më transformuese për vendin” tha Berisha.Berisha theksoi më tej se Partia Demokratike duhet ta zhvillojë betejën elektorale duke vënë në pah të gjitha vlerat dhe arritjet që nga krijimi i saj në 22 Mars."Këto arritje janë rezultat i sukseseve të thella që ndërmori kjo qeveri, të guximit të madh që tregoi për ndërmarrjen e këtyre reformave, i besimit të palëkunduar të mazhorancës te liria dhe potencialet e saj të jashtëzakonshme. Pra ky është background dhe baza mbi të cilën ne kemi nisur dhe vazhdojmë betejën tonë elektorale, betejën e fitores. Ju e dini shumë mirë se djepi i fitores qëndron në votën e shqiptarëve, votë e cila përbën faktorin përcaktues të fitores sonë, votë e cila meriton atë kur ne në mënyrën më të vendosur, më të njerëzishme, më reale të kemi trokitur në çdo zemër, në çdo derë, në çdo vatër shqiptare. Fitorja bëhet atëherë kur ne në punën tonë të kemi kthjelluar çdo premtim tonin dhe të mos pranojmë kurrë të vetëmashtrohemi dhe të kontrollojmë çdo rezultat. Kjo betejë pra është para së gjithash vepër e atyre qindrave, mijërave militantëve anëtarëve, mbështetësve të PD-së të cilët angazhohen në misionin e madh të mbrojtjes së arritjeve tona, të paraqitjes së vizionit tonë në 4 vitet në vijim. Ne kemi një mijë arsye për tu drejtuar shqiptarëve dhe për tu kërkuar votën” u shpreh Berisha.Kreu i PD-së nuk la pa sulmuar edhe kreun e PS-së Edi Rama që sipas tij po mbledh rreth vetes ato persona të cilët ai i cilësoi si fundërrina.“S`ka më të zhgënjyer sesa ata që votuan katër vjet më parë Partinë Socialiste, sepse pas 22 vitesh pluralizëm e shohin atë sërish bllokuese, e shohin atë në rolin e muratorit fatkeq që lartëson murin e bllokimit, në kundërshtim flagrant të aspiratave të mbarë shqiptarëve dhe aspiratave të elektoratit të PS-së. Ai ka moton “fundërrinat e të gjitha llojeve të bashkohen kundër Sali Berishës”. Le të bashkohen të gjitha fundërrinat, por fundërrinat përveç Lanës, vend tjetër s`mund të kenë. Se si mund të dilet me moton fundërrina bashkohumi të mundim Berishën kjo është dëshmia e dështimit total. Kjo është thirrja e njeriut që ka humbur çdo shpresë, është i mbuluar dhe kërkon të mbulojë disfatat e njëpasnjëshme. Ne do të mbetemi qytetar të vlerave dhe kjo është motoja jonë sepse ne jemi parti e vlerave. I pasigurt totalisht për ditën që agon, i bindur për disfatën që e pret kreu i PS-së kërkon të bashkojë rreth vetes edhe ato që më vjen zor ti them me fjalë” shtoi më tej Berisha.