Rezolutë për bisedimet Kosovë-Serbi, Kuvendi pikë të parë të rendit të ditës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që në seancën e së enjtes të jetë pikë e parë e rendit të ditës rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Përveç partive të koalicionit qeverisës, kjo rezolutë është përkrahur edhe nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkohë që LDK-ja ende nuk ka dalë me qëndrimin se a do të përkrah apo jo, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e kundërshton atë dhe e quan të dëmshme për vendin.Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë Grupi Parlamentar i PDK-së i ka marrë mbështetjen edhe të grupeve të tjera parlamentare si AAK-ja, Koalicioni për Kosovë të Re, partia SLS dhe Grupi 6+. Grabovci ka thënë se kjo rezolutë parasheh normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.Nga ana tjetër, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se Kuvendi i Republikës së Kosovës është i vetmi organi i cili duhet të ketë mandat të plotë kushtetues për të lejuar bisedime me vendet e tjera, në këtë rast për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Për të kaluar një rezolutë në Kuvend të Kosovës nevojiten 2/3 e votave të deputetëve. Rezoluta përmban këto pika:Neni 1 Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet procesin për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane të Kosovës dhe Serbisë në interes të zgjidhjes së problemeve të dy shteteve, përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të avancimit të agjendës evropiane për të dy shtetet dhe për rajonin,Neni 2 Kuvendi i Republikës së Kosovës rikonfirmon parimin që ky proces midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë të lehtësohet nga BE dhe të mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,Neni 3 dialogu dhe rezultatet e tij duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtar, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues,Neni 4 Kuvendi i Republikës së Kosovës autorizon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të udhëheq këtë proces me pjesëmarrjen e komisioneve të nevojshme të Kuvendi të Republikës së Kosovës.