Nikoliç sulmon BE: Ndryshoje termin “integriteti i Kosovës”
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, i ka bërë apel Bashkimit Evropian që të jetë i paanshëm në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe që ta ndryshojë formulimin integriteti i Kosovës.Niklolic ka thënë se ndryshimi i këtij formulimi, që qëndron në Strategjinë për Zgjerim të BE-së, do të paraqiste një hap të vogël që do t`i jepte Serbisë fuqi për të zgjidhur të gjitha problemet ekzistuese dhe të vazhdojë dialogun me Kosovën në nivel më të lartë politik.Në një intervistë për mediat beogradase presidenti serb ka thënë se termi integriteti i Kosovës nuk është i pranueshëm për Serbinë.Nikolliç ka theksuar se për Serbinë, BE-ja është e paalternativë, por nga Brukseli pret një gatishmëri të sinqertë për pranimin e këtij shteti në union.Bashkimi Evropian ka ndërmjetësuar në dialogun teknik të zhvilluar ndërmjet Prishtinës e Beogradit për rreth një vit, gjatë të cilit janë arritur shtatë marrëveshje. Prishtina akuzon Beogradin për ngecje në zbatimin e tyre.