Koalicioni “Mal i Zi Evropian” fiton zgjedhjet parlamentare
Koalicioni në pushtet i Qendrës së Majtë, ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvilluara një ditë më parë në Mal të Zi. Duke qenë se nuk është arritur mazhoranca absolute, atëherë kërkohet aleanca me partitë e vogla të minorancave etnike.Kësisoj, koalicioni në pushtet në Mal të Zi ka shënuar një fitore të lehtë në zgjedhjet e djeshme, por jo të mjaftueshme për të siguruar një shumicë parlamentare dhe sipas numërimit jo zyrtar të votave, nga Qendra e Pavarur për Monitorim tregon se koalicioni “Mal i Zi Evropian” ka marrë rreth 46 % të votave, që sigurojnë 39 nga 81 vendet e Parlamentit. Sipas këtij grupi monitorues, “Fronti Demokratik” i opozitës radhitet në vendin e dytë, duke siguruar 20 vende në parlament, Partia Popullore Socialiste radhitet e treta me 9 vende. Deri tani janë numëruar 70 % të votave.Fitorja e koalicionit qeveritar hap mundësinë për një kthim të mundshëm të Millo Gjukanoviçit, i cili shërbeu si president dhe kryeministër i Malit të Zi gjatë dy dekadave të fundit. Gjukanoviqi përkrah antarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Europian dhe në NATO. Edhe më herët, sipas sondazheve parashikohej se koalicioni qeverisës për një “Mal të Zi Evropian” ishte favorit dhe potencialisht mund të merrte gati gjysmën e votave.Milo Gjukanoviç është kryetar i Partisë Demokratike të Socialistëve. Megjithatë Koalicioni qeverisës fajësohet për nivelin e lartë të korrupsionit, si dhe për dështimin që të ruajë nga rënia ekonomike vendin, që ka më pak se 700 mijë banorë. Në zgjedhjet parlamentare morën pjesë 13 formacione dhe parti politike. Këto ishin zgjedhjet e nënta radhazi pas vendosjes së sistemit shumëpartiak në Mal të Zi dhe të tretat pas pavarësimit të vendit në vitin 2006.