Gjermeni: S’jepen pagat për administratën, shteti pa para
Një situatë absurde dhe e patolerueshme po ndodh me 90 mijë punonjës të administratës shtetërore, të cilët nga dita në ditë presin të marrin pagat e tyre, dhe ndërkohë dëgjojnë vetëm justifikime të ministrit, thesarit dhe sot iu shtua edhe alibia e radhës e Kryeministrit. Kështu ka deklaruar deputetja socialiste Eglantina Gjermeni, e cila në një deklaratë për media tha se është e qartë se ky shtet nuk ka para.“Nuk është e nevojshme të jesh ekspert financash për të kuptuar se këto justifikime qesharake që shumëzojnë me zero njëri tjetrin, janë thjesht tentativa për të fituar kohë e për të fshehur një të vërtetë që tanimë po e mësojnë në kurriz të tyre edhe punonjësit e administratës: Shteti nuk ka para. Shteti nuk ka më para dhe politika fiskale e qeverisë të Sali Berishës tanimë ka vetëm një emër: Shtyje ta shtyjmë”, u shpreh ndër të tjera në deklaratën e saj deputetja Gjermeni.PS përmes deputetes Gjermeni ka kërkuar nga Ministri Bode dhe Kryeministri që të lënë justifikimet e të zgjidhin situatën.