Berisha: S`ka pasur mungesë fondesh për pagat por vonesa të listëpagesave
Kryeministri Berisha ka sqaruar situatën me vonesën e pagave për administratën, duke thënë se nuk ka pasur mungesë fondesh por vonesë të listëpagesave. Në këtë mënyrë kryeministri ka hedhur poshtë zërat për mos disbursim ndërsa tha se keqpërdorimi i kësaj situate nga opozita, e lë këtë qeveri në pushtet edhe katër vitet e ardhshme.“Ka pasur prej tyre që bërtitën eureka atë të cilën nuk e gjetën dot për më shumë se 6 vite me ardhshëm dhe s`do ta gjejnë dot edhe për 4 vitet e ardhshme. Nuk ka patur dhe nuk ka asnjë mungesë dhe të asnjë lloj fondi. Ka patur një mosparaqitje të listëpagesave në kohën e duhur dhe rroga pa listëpagesën nuk mund të jepet” theksoi Berisha.Kryeministri iu referua edhe vonesave në disbursimin e invalidëve të cilat i cilësoi si të papranueshme por shtoi se qeveria ka bërë maksimumin për ta. Kryeministri tha se qeveria ka rritur vazhdimisht mbështetjen për këtë kategori shoqërore."Invalidët kanë pasur vonesa të papranueshme, shkaku ka qënë sepse në përllogaritjen e faturës së energjisë ka pasur një abuzivitet të paparë dhe qevera u detyrua ta përcaktojë atë mbi bazën e kritereve të përcaktuara qartë nga një studim i ERE- por ky studim është mbështetur edhe nga Banka Botërore. Qeveria ka bërë maksimumin i asaj që mund të bëhet. Ndihma që u jepet invalidëve arrin deri në rrogën mesatare të një punonjësi. Unë nuk pajtohem në vonesat e bëra në disa komuna dhe bashki por asnjëherë nuk mund të errësohet përkushtimi i qeverisë ndaj këtyre qytetarëve që janë me probleme të aftësive të tyre fizike. Ju garantoj se ata do të mbeten në qendër të vëmendjes së qeverisë. Do të ndërmarim vendime për krijimin e qëndrave për rehabilitimin e tyre dhe do të ketë praktika për punësimin e tyre" shtoi Berisha.Kryeministri është ndalur gjithashtu në politikat e qeverisë në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar duke bërë edhe një analizë krahasuese të fondeve në dispozicion të tyre.“Në vitin 2005 buxheti për aftësinë e kufizuar ishte 6.1 mld lekë, aktuali për këtë kategori është 13 miliardë lekë. Nuk është llogaritur këtu rritja e fondit të rimbursimit të ilaçeve, nga e cila janë të parët që përfitojnë, rritje ka qenë 5 mld lekë, është 25 miliardë lekë”- tha ai.Sipas Berishës, pagesat e personave me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët ka qenë 6.800 lekë në muaj, është 12.500 lekë, për tetraplegjikë, 6800 lekë, sot është 9500 lekë.“Paketa higjieno-sanitare në 2005 zero, sot jepet 160 mijë lekë në muaj, deri 270 mijë lekë. Kompensimi për karburantet, ka qenë 4 mijë lekë, sot është 70 mijë lekë. Kompensimi për energjinë elektrike, kategoria e parë 2 mijë lekë, e dyta 1400 lekë, marrin shumë të caktuar për telefoninë fikse, barazohen në këtë mënyrë me zyrtarët që u konvencionohet telefonia për qëllime zyrtare, iu paguhet fatura e ujit. Në tërësi shuma që kjo qeveri ka vendosur, ose shpenzon për një para e tetraplegjik është absolutisht 5 herë më e madhe se ajo e 2005”- tha ai.Gjithashtu kryeministri Berisha kërkoi sërish nga ministrat që deri ditën e shtunë të kenë publikuar në faqet zyrtare të ministrive numrin e tyre të celularit dhe adresën e emailit."Të publikohet adresa e emailit në faqen zyrtare dhe në Facebook. Disa ministra nuk i kanë vendosur prandaj unë kërkoj ti vendosin dhe deri ditën e shtunë të jenë funskionuese për të gjithë qytetarët. Këto janë linjat e transparencës dhe kjo është edhe avantazhi i komunikimit” shtoi Berisha.Berisha: Asnjë tatim antenave të telefonisëNdërkohë kryeministri Berisha ka deklaruar se antenat e telefonisë celulare nuk do të jenë objekt tatimi as nga pushteti vendor e as nga ai qëndor.“Ka shpërthyer një histeri e autoriteteve lokale kundër antenave të kompanive celulare . Iu këpusin taksa e kryesisht disa nga ata që po zotohen të heqin taksat. Ministër i Financave, do më sjellësh ligjin me urgjencë, antentat e komunikimit përjashtohen në vendosjen e tyre nga çdo lloj takse. Vendosja e tyre nuk do të jetë objekt tatimi as nga autoritetet vendore e as qendore në asnjë pjesë, natyrisht kur i vënë në pronë private, është tjetër punë”- tha Berisha.