Ujë me bollëk, por prej tre vjetësh mungon vaditja, tokat e komunës Zejmen me sytë nga zoti
Prej tre vitesh tokat e fshatrave të komunës Zejmen vuajnë mungesën e vaditjes. Edhe pse përshkohet nga ujërat e bollshëm të lumit Mat, banorët e këtyre fshatrave vetëm mund ta soditin, ose të mbushin ujë me kova për të ujitur prodhimet në tokat e tyre, pasi në kanalin vaditës nuk kalon pikë uji.Pal Trashaj, banor i zonës tregon se disa nga bashkëfshatarët e tij kanë gjetur zgjidhje përmes shpimeve të puseve, por shumica janë në mëshirë të reshjeve, me sytë nga Zoti.Problem me vaditjen në zonën e verës. Megjithëse në këtë zonë ka ujë mjaft ka tre vjet që nuk vjen ujë fare në kanalin vaditës“Çdo gjë është tharë për shkak të mungesës së ujit vaditës megjithëse ka ujë mjaft. Ata që kanë mundësi kanë bërë shpime megjithëse ai lloj uji nuk është i përshtatshëm për bimësinë, ndërsa shumica presin kur të bjerë shi, me sytë lart nga Zoti. Çuditërisht dhe në ’97 që ka qenë vit i trazuar ka patur ujë mjaft, që shkonte pothuajse deri në Lezhë, pastaj nga ajo periudhë ka vijuar me probleme. Kjo është përgjegjësi e pushtetit lokal, ose me mundësitë e veta ose gjen zgjidhje”, tha TrashajShkaku që kanali ujitës është prej tre vitesh i tharë janë disa porta që furnizonin më herët kanalin ujitës me një nga degët e lumit.“ Me pak punë ky ujë shkon në shërbim të gjithë banorëve jo vetëm të Zejmenit por deri në Lezhë. Banorët shkojnë vazhdimisht por ka kohë që nuk ke se ku shkon më , sigurisht tani që e kanë marrë vesh se do të shkrihen dhe nuk kanë asnjë përkushtim për banorët. Ky ujë kaq i pastër, kaq i shëndetshëm, shkon në det, ujë që ndikon tek prodhimet të cilat janë bio.Kreu i Komunës nëse shkon tek Drejtori i bordit të kullimit i jep zgjidhje. Duhet vetëm karburant për për të hequr pengesat, sa të futet uji. Por tani nuk ka interesim nga pushteti.”, shtoi ai.Arben doci, kryetar i komunës Zejmen, i pyetur nga gazetari Genci Engjëllari nëse ka një projekt për këtë problem të banorëve, pas vetëm rruga ndan kanalin nga portat hyrëse të lumit, ai tha se këtë muaj do të bëhet një përpjekje, por vetëm për 3 fshatra.“Kam kontaktuar me bordin e kullimit, por problem qëndron tek marrja e ujit pasi niveli i ujërave për shkak të inerteve ka rënë poshtë. Mendohet që do bëhet një përpjekje, do bëhet një projekt, është vepër e kushtueshme. Do bënim një përpjekje për disa ditë, jo një projekt afatgjatë. Këtë muaj do të bëhet një përpjekje. Nuk them se do të ketë zgjidhje, por zbutje të problemit. Ai është një magjistral Milot-Lezhë dhe është shumë i amortizuar. Do jetë një zgjidhje provizore, për katër fshatra dhe jo për 7",tha ai.(Video: Emisioni i plotë "Alarm")