Gjermeni te “Veprimtaria”, debate për të drejtën zhvillimore në zonat e mbrojtura

Tiranë- Transferimi i të drejtës zhvillimore në zonat e mbrojtura ka shkaktuar debate në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelina Greca, deklaroi se kjo pikë do të zgjidhë problemet me persona që kanë ndërtuar në zona arkitekturore, duke i ofruar një marrëveshje.“Në zonat e mbrojtura historike të trashëgimisë kulturore ku për shkaqe të ruajtjes së kësaj trashëgimie, pronarëve të asaj zone mund të mos u lejohet e drejta e zhvillimit aty, po mund ti njihet e drejta e zhvillimit diku tjetër, ku Bashkia propozon zhvillime” tha ajo.Por për opozitën kjo pikë e ligjit është absurde, pasi nuk mund të trajtohet pronësia në disa standarte.“Ish-pronarëve që kanë aplikuar, që kanë fituar të drejtën e kompensimit fizik, do të kompensohen ish-pronarët të parët apo do ti jepet e drejta zhvillimore kësaj tipologjie tjetër. Me këtë ligj zonja Ministre ju po krijoni një kauzë të re për të fituar të drejta reale në një vend tjetër”.Ministrja e Turizmit, Eglantina Gjermeni, i kërkoi opozitës që të bashkëpunojë dhe të shkojë përtej kufijve politikë, duke e pranuar se çështja e kthimit të pronave është një plagë e ndjeshme.“Çështja e pronave që është gangrenë që duhet zgjidhur dhe meqë më bëtë pyetjen mua politike dhe unë po ju kthej përgjigje se jemi terësisht të angazhuar për ta zgjidhur. Nuk zgjidhet menjëherë. Është më e koklavitur në kaq vite, ju gjithë jeni të ndërgjegjshëm. Ndërkohë që me ligjin e planifikimit të territorit nuk përjashtohen as ato kategoritë që ju thatë për shpronësimin duke ju dhënë këtë lejen e zhvillimit”.