KLD kundër projektligjit të Naços: Cënon kompetencat, nuk u morën parasysh rekomandimet
Tiranë- Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët lidhur me projektligjin për funksionimin e institucionit të KLD-së. Mes debateve të shumta në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, anëtarët e Këshillit e kanë cilësuar ligjin një propagandë të rrezikshme për të ardhmen e drejtësisë.Në njoftimin zyrtar të KLD-së mbi mbledhjen thuhet se “anëtarët e KLD-së kërkuan nga Ministri i Drejtësisë të njiheshin me propozimet e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi dhe në mënyrë të vecantë për ndërhyrjet në ligjin organik të KLD. Duke qenë se nga Ministri i Drejtësisë nuk u dha asnjë shpjegim për këtë fakt, anëtarët vlerësuan përdorimin e institucioneve ndërkombëtare si konsulent në këto procese, thjesht propagandë, e cila në fakt tregon për rrezikshmërinë që paraqet ky projektligj për të ardhmen e sistemit të drejtësisë”.Sipas tyre projektligji nuk parashikon asnjë nga propozimet e bëra prej vitesh nga partnerët ndërkombëtarë të KLD, të rikërkuara edhe në progresraportin e KE-së si edhe në Raportin e fundit të GRECO-s.Gjatë diskutimeve të gjithë anëtarët e pranishëm evidentuar probleme të theksuara kushtetutshmërie në këtë projektligji. Sipas anëtarëve projektligji jo vetëm që nuk sjell asnjë risi, por në vetvete ka si qëllim tkurrjen e kompetencave të KLD-së.Në diskutimet e tyre anëtarët e Këshillit theksuan njëzëri se projektligji cënon kompetenca thelbësore të KLD, siç është e drejta e Këshillit për të verifikuar mandatet e anëtareve të rinj të tij në momentin e zgjedhjes së tyre. Në këtë linjë anëtarët e konsideruan këtë ndryshim si cënim të rëndë të sovranitetit të KLD.Edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëherësh kreu i KLD-së u shpreh se marrja e kompetencave të organeve kushtetuese po rrezikon seriozisht dimensionin e lirisë në Shqipëri.“Synimi i politikës për të marrë kompetenca të institucioneve Kushtetuese dëmton vetë sistemin. Mandatet nuk janë të përjetshme, prandaj NE nuk duhet të cenojnë dimensionin e lirisë”.Në përfundim të diskutimeve anëtarët e Këshillit vendosën që mendimi i KLD-së, rreth këtij projektligji, t’i përcillet zyrtarisht Ministrit të Drejtësisë, institucioneve ndërkombëtare partnere si dhe Komisionit të Venecias.